SHBA gozhdës, Berisha patkoit

Ambasadori amerikan tha se qëndrimi kurajoz që po mban opozita në këtë kohë të trishtuar nuk ka kaluar pa u vënë re
Ndërsa nga mazhoranca nuk rreshtin akuzat se opozita po përdor fatkeqësinë e Gërdecit për të përfituar politikisht, SHBA thanë dje se e shohin me simpati mënyrën sesi opozita po sillet gjatë kësaj kohe. Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, gjatë një takimi me përfaqësues të opozitës dhe ambasadorë të NATO-s foli rreth presionit të natyrshëm që vjen nga baza opozitare për t’u hedhur në veprim. “Fakti që ju jeni në gjendje t’i bëni ballë këtyre presioneve dhe këtyre kërkesave për veprim duke mbajtur parasysh Samitin e Bukureshtit, dhe vendimi i rëndësishëm që pritet të marrë për zgjerimin e NATO-s, ju nderon ju dhe udhëheqësinë tuaj në shtetin shqiptar”, tha zoti Withers. Ai tha se marrja eventuale e ftesës së anëtarësisë në NATO nga Shqipëria, nuk duhet që kurrsesi të arkëtohet si një sukses i mazhorancës. “Nëse kjo ftesë vjen, dhe ne shpresojmë se do të vijë, qeveria ime nuk do ta shohë këtë ftesë si rezultatin e përpjekjeve të një grupi të caktuar, por si arritjen e udhëheqjes politike shqiptare si e tërë dhe dhe si suksesin e popullit shqiptar si i tërë” siguroi ambasadori amerikan.
Në krahun tjetër lideri i së majtës Edi Rama, nënvizoi se gjatë 17 viteve të fundit vendi ynë ka humbur një kohë të çmuar, falë konfliktualitetit dhe cënimin e lirive kushtetuese, që kanë ardhur si pasojë e politikës së vjetër. Ai shprehu vendosmërinë e PS-së për të emancipuar politikën shqiptare duke vendosur interesat e gjithë shqiptarëve përpara interesave partike të ditës, ndërsa shtoi në krye do të jetë rruga e integrimit. “Kjo rrugë kalon padyshim nga zgjedhjet absolutisht të lira e të ndershme dhe nga reforma e domosdoshme për t'i mundësuar ato. Kjo rrugë kalon nga plotësimi i të gjitha detyrave të shtëpisë së madhe të demokracisë e të lirisë individuale, ku po hyjmë hap pas hapi, dhe nga bashkëpunimi i domosdoshëm bipartizan për t'i plotësuar ato”- deklaroi Rama. Ai shtoi se duhet të ketë një reformë të plotë në sistemin e sigurisë kombëtare. Sipas tij, është i nevojshme ripërcaktimi i kompetencave të Këshillit të Sigurisë, hartimin i një ligji të ri për autoritetet e komandimit dhe drejtimit që duhet të reflektojë strukturën e re të forcave tona të armatosura, krijimin e mekanizmave ligjore dhe strukturave të efektshme për parandalimin e përballimin e krizave dhe po ashtu edhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Rama rikujtoi kohën e diktaturës kur të gjithë shqiptarët me një pushkë druri në sup niseshin në kolonë për t’u mbrojtur nga një sulm hipotetik i NATO-s. “Ky ushtrim i përvitshëm kolektiv i një marrëzie që e mbajti Shqipërinë të kyçur në bunkerin komunist e të izoluar krejtësisht, nga perëndimi e nga lindja, deri në fundin e vitit '90, quhej zborr. Sot, ajo kohë zborresh për t'u mbrojtur nga rreziku anglo-amerikan ngjan me një copë surreale letërsie, tamam siç ngjante me një ëndërr të pamundur asokohe bota jashtë bunkerit të diktaturës komuniste”- kujtoi lideri i opozitës. Ndërsa rikujtoi të shkuarën e hidhur komuniste, ai garantoi se vendi ynë do të jetë krah forcave të NATO-s në luftën kundër terrorizmit.