E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana permbys rezultatin

Ne nje ndeshje dramatike, e mbetur me 9 lojtare, Tirana arriti te mposhte Elbasanin dhe te siguroje se nuk do te fundoset perfundimisht ne nje kampionat qe tashme konsiderohet i humbur

TIRANË – Nuk pritej nga askush, por ndodhi. Tirana e tregoi veten si dikur duke arritur të fitojë me 9 lojtarë një ndeshje që po e humbiste me 11. Kampionati mund te quhet i mbyllur, pasi Partizani dhe Dinamo po i tregojne prej javesh vetem targen Tiranes, por te pakten bardheblute s'e hengren turpin me buke duke u fundosur perfundimisht. Skerdi Bejzade shënoi shumë shpejt për miqtë nga Elbasani, ndërsa në pjesën e dytë Indrit Fortuzi (61’) dhe Mohelebi (64’) u përjashtuan nga gjyqtari Pashaj. Por bardheblutë e tejkaluan këtë herë magjinë verdheblu, duke shënuar me Xhafajn dhe Hykën në harkun e 5 minutave.

“Patëm shumë shpirt gare”, - tha Hyka pas ndeshjes, ndërsa trajneri Mema vlerësoi karakterin e treguar nga lojtarët e tij. “Jam i kënaqur me fitoren dhe reagimin në pjesën e dytë, sepse fituam duke luajtur me 9 lojtarë për gati 30 minuta, - tha ai, - kurse në të parën luajtëm shumë dobët”. Ashtu si edhe para ndeshjes, Mema sulmoi gjyqtarin Pashaj që sipas tij është tendencioz në vendimet e tij. “E kisha thënë edhe para ndeshjes dhe po e them sërish, - u shpreh i revoltuar trajneri i Tiranës, - gjyqtari veproi kundër nesh duke na nxjerrë dy lojtarë me kartona të kuq”.

Si përherë, Mema është i pakënaqur edhe me lojtarët e tij. Burime në klub bëjnë të ditur se trajneri ka qenë vazhdimisht i acaruar në stërvitje apo në analizë me futbollistët duke arritur të deklarojë edhe se “e kam gati listën e lojtarëve që do marr për sezonin e ardhshëm”. Ai vazhdon ta mbajë në stol portierin veteran, Blendi Nallbani, duke i besuar Osmanit që fillimisht ishte rezervë.

Hyka: Unë, mes Europës dhe Tiranës

Më i miri lojtar i ndeshjes, Jahmir Hyka, u ngrit në ajër nga tifozët e vegjël dhe adoleshentë të tij, menjëherë sapo u shfaq në derën e jashtme të stadiumit “Selman Stërmasi”, tek Tirana e Re. Jo më kot. Shtatvogli i talentuar i dha Tiranës një fitore të pamenduar me një supergol në pjesën e dytë. Një fitore që mesfushori sulmues ia dedikoi shpirtit të garës së skuadrës, një fjalë e harruar prej kohësh tek bardheblutë.

-Jahmir, si ndodhi që fituat me 9 vetë?

“Mendoj se patëm shumë shpirt gare dhe besim në veten tonë. Këmbëngulëm shumë dhe ia arritëm, ndonëse ishte shumë e vështirë”.

-Shënuat një gol shumë të bukur dhe ishit më i miri në fushë.

“Nuk e them për modesti, por rëndësi ka që fituam. Do të kishte qenë shumë keq po të mos kishim marrë 3-pikët sot”.

-A ishte kjo ndeshja juaj më e mirë për Tiranën?

“Unë kam luajtur edhe herë të tjera mirë, ndoshta edhe më mirë sesa sot, por në futboll nuk arrin të shënosh vetëm duke luajtur mirë. Duhet edhe fat që sot unë e pata”.

-Është folur shumë për të ardhmen tuaj, çfarë do të ndodhë?

“Duhet të flasim në verë për këtë, tani duhet të vazhdoj të luaj për ekipin ku ndodhem. Ndoshta qëndroj këtu edhe më tej, ndoshta largohem”.

-Po Italia, a ekziston si variant?

“Janë mundësitë edhe për atje”.

B.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›