E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i energjisë, KESH 100 mln euro overdrafte nga bankat

SHKRUAN: Sabina Veizaj 21-12-2011 15:19

Opozita reagon ashpër: Po thelloni borxhin publik. Janë 105, 9 mln euro që KESH i detyrohet si borxh në formën e overdraftit bankave të nivelit të dytë. Për këtë arsye, Ministria e Financave i propozoi Kuvendit aktin normativ për të lëshuar një letërgaranci në favor të KESH sh.a-së prej 4,5 mld lekësh

KESH sh.a, si kreditore e keqe ndaj bankave të nivelit të dytë me 105,9 mln euro në formën e overdraftit, do të ketë mundësi për të paguar tanimë faturat e importit të energjisë me anë të një letërgarancie prej 4,5 mld lekësh që qeveria i jep për të garantuar furnizimin me energji ndaj konsumatorëve. Letërgarancia e qeverisë për KESH u miratua si akt normativ në mbledhjen e djeshme të komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave vetëm me 11 votat e mazhorancës. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, e argumentoi këtë masë emergjente për KESH me situatën kritike financiare që ndodhet Korporata aktualisht, pasi detyrimi i CEZ Shpërndarjes ndaj saj ka ardhur duke u rritur, duke i shkaktuar vështirësi në likuidimin e kostove operative, sigurimin e fondeve për realizimin e investimeve si dhe plotësimin e detyrimeve financiare ndaj të tretëve. “Mungesa e reshjeve dhe domosdoshmëria e importit të energjisë elektrike të kërkuar nga shoqëria CEZ Shpërndarje, për kërkesën e planifikuar në fillimvit, mospagesa e faturave të furnizimit me energji elektrike të CEZ Shpërndarjes ndaj KESH sh.a., i cili aktualisht është rreth 7,5 mld lekë. Gjithashtu, për të realizuar pagesën e faturave të energjisë elektrike të importuar gjatë periudhës prill-tetor 2011, KESH ka shpenzuar rreth 44,2 mln euro. Rritja e kërkesës për energji e ka detyruar KESH të importojë me çmime tregu që janë më të larta sesa kostot e prodhimit nga hidrocentralet e KESH sh.a.-së. Kështu KESH është detyruar të aktivizojë overdraftet. Zëvendësministri bëri me dije gjithashtu se aktualisht KESH sh.a. është duke importuar me çmimin e tregut prej mbi 100 euro, ndërsa tarifa e importit në banka është 60 euro. Diskutimet për aktin normativ në fjalë nxitën debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit theksoi se me këtë letërgaranci qeveria po shton borxhin publik dhe nuk do të mund të mbajë premtimin për ruajtjen e këtij borxhi në nivelin e 59% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Të gjithë qytetarët e dinë se overdrafti është shumë i shtrenjtë. Keni kërkuar rivlerësim të të ardhurave kur parashikimi për rritjen ekonomike është i ulët dhe borxhi publik është larg nivelit të parashikuar. Ky akt normativ është një borxh i ri. Të gjithë parametrat tregojnë se 2012-a do të jetë një vit i vështirë për ekonominë. Cili është argumenti që Kryeministri parashikon rritje ekonomike?”- u shpreh deputeti socialist Arben Malaj. Ky do të jetë borxhi publik 59% e PBB. Niveli i disbursimit të financimit të huaj është në nivel më të ulët se parashikimi fillestar. Kjo është garancia e ruajtjes së borxhit në nivelin e 59% të PBB-së. Arsyeja e garancisë sovrane është që KESH të marrë hua dhe kredi për lehtësira”. Ndërsa për deputetin Malaj, në kushtet kur Financat kanë marrë përsipër të shlyejnë borxhin e kompanive energjetike, duhet një analizë e dytë. Kurse deputeti tjetër socialist Arben Ahmetaj e konsideroi këtë akt normativ jo si nismë suksesi të qeverisë, por si dokument emergjence, pasi Ahmetaj gjykon se sistemi aktual i menaxhimit të sektorit energjetik ka dështuar. “Është një moment krize që nuk duhet përsëritur. Thatësira në Shqipëri është pjesë e ciklit ekologjik. Ashtu siç ka përmbytje, ka edhe thatësirë. Thelbi është detyrimi i papaguar prej 7,5 mld lekësh që CEZ i ka KESH-it. KESH po merr kredi 4,5 mld lekë. Nëqoftëse do të shlyheshin faturat, përveçse do të shlyente borxhet, KESH do të kishte edhe likuiditet. Marrëdhënia mes KESH dhe CEZ ka prodhuar krizë. Ky është një akt emergjence dhe jo një nismë spektakolare e qeverisë. Dhe në fund kostoja do t’i shkojë qytetarit të zakonshëm.”- tha deputeti Ahmeti. Ndërsa kreu i komisionit, Edmond Spaho, mbrojti aktin me argumentin se cilësia dhe sasia e furnizimit me energji elektrike është përmirësuar ndjeshëm që nga vitit 2005 dhe për këtë do të jenë qytetarët që do të gjykojnë. Me një borxh të shtuar prej 4,5 mld lekësh, borxhi publik i qeverisë do të ketë kosto të reja, të cilat padyshim që do të ndikojnë në mirëqenien e ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›