Mazhoranca rrëzon propozimin e opozitës për uljen e TVSH-së
Deputetët e mazhorancës dhe financat kanë kundërshtuar dje propozimin e grupit socialist për uljen e TVSH-së për disa produkte ushqimore të shportës, energjinë elektrike dhe ilaçet. Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, u shpreh dje në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave se projekti i hartuar nga grupi socialist është joserioz, pasi në të ka edhe shkelje të direktivave që janë pranuar me konsensus unanimisht si model. Ky projekt-propozim shkaktoi dje në Kuvend debate të ashpra deri në fyerje dhe akuza të ndërsjella. Duke iu referuar TVSH-së për energjinë elektrike, deputeti socialist Arben Ahmetaj theksoi se “ministri Bode ka pranuar që KESH subvencionon CEZ me 40 mln euro në vit dhe në tre vjet shuma është 120 mln euro, që janë hequr nga qytetari shqiptar. Prandaj vijmë këtu. Projekti është projekt dhimbsurie, pjesë e programit tonë politik”. Përsa i përket heqjes së TVSH-së për disa produkte ushqimore, argumentet kundër të mazhorancës se dëmtohet prodhimi vendas, Ahmetaj i cilësoi si komike dhe mashtrime. “ǒdoni të thoni që nuk kemi mbledhur 6% nga bujqësia? Doni një sistem me dy nivele taksash. Ajo që kërkojmë ne është ulje taksash për të lehtësuar sado pak në kohë krizë familjet në nevojë”- tha ai. Kurse zv.ministri Rushaj argumentoi se qeveria ia jep bujqësisë 6% në formë subvencionimi. Dhe duke iu referuar statistikave zyrtare ai bëri me dije se konsumi shqiptar i kalon 60% dhe, me përjashtim të sheqerit, të tjerat janë produkt shqiptar. Ndërsa deputeti socialist Arben Malaj, duke theksuar se vendi është prekur thellë nga kriza, mori shembullin e Britanisë së Madhe që në kohë krize hoqi TVSH-në për energjinë. Sipas tij, edhe nëqoftëse ulja e TVSH-së nuk do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve, ajo do të ndikojë në rritjen e të ardhurave të kompanive dhe si rrjedhojë do të nxisë konkurrencën, e cila do të ndikojë në uljen e çmimeve. Tonet e ngritura dhe atmosfera e tensionuar gjatë debatit gjeneruan edhe në fyerje personale mes deputetit Gjovalin Kadeli dhe Luan Skuqi.
Debatet
Spaho-Ahmetaj: Na tregon keqmenaxhimin. Thuaju njerëzve që nuk ka më errësirë.
Rushaj: Ka dy vjet që nuk ka rritje të çmimit të energjisë.
Braçe: Vjet është rritur.
Hida: Nuk kemi parë bashkëpunim nga opozita për reformën e pensioneve.
Braçe: Kur e propozuam ne, ju nuk e pranuat, mashtruat. Tani bëjeni vetë.
Braçe: Ju thatë shqiptarëve se TVSH-në për energjinë do ta bënit 6%. I mashtruat.
Spaho- Malajt: Harron që më 97’ si ministër e ke rritur TVSH-në nga 12%- 20%. O ka ulur kjo qeveri taksa, o s’ka ulur njeri.
Rushaj: Kostoja që ka shkaktuar rritja e çmimeve te familjet shqiptare nga 2005-a, është 8,8% sipas të dhënave të INSTAT-it.
Opozita: Pra, është dyfishuar kostoja e jetesës. Kodheli duhet të kishte lobuar, të pinte një kafe me Kryeministrin dhe sot do ishte miratuar propozimi ynë.
Noka: Kjo është për të qarë edhe për të qeshur. Ju pranoni që ky projekt nuk ka impakt te çmimet dhe këmbëngulni për ta kaluar.
Braçe-Nokës: I ke ti 10 aksione te kompania e Fordit.
Spaho- Braçes: Edhe kryetari të tha që 5 vjet për rrugën ke gënjyer.
Braçe-Spahos: I ke të gjitha aksionet te stadiumi i Korçës të produkteve të shportës, prandaj e kundërshton propozimin. I ke mbi shpatulla. Nëqoftëse ky vend ka tregje të lira që funksionojnë mirë, do shkojë efekti te qytetari. Kush shet sot sheqer me 80 lekë, kur çmimi në treg është 150 lekë? E njëjta gjë edhe për orizin. Çlironi tregun nga monopolet, të përfitojë qytetari.
Noka: Ju keni kompani të produkteve, që kanë kapur kryetarin ose juve për të bërë projektin.
Braçe: Qëllimi i këtij projekti është të mos pasurohet tribuna e stadiumit të Korçës. Abuzimi është se nuk paguhen tatime, dogana, asgjë.