E Diel, 1 Nëntor 2026

Importuesit, letër Bodes: Po na gjobisni pa shkak

Importuesit e karburanteve nuk i pranojnë në mënyrë kategorike gjobat e vendosura nga Tatimet dhe kërkojnë nga ministri i Financave që të rivlerësojë vendimet. Letra është hartuar nga Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure dhe i vë në dispozicion ministrit dhe kreut të Tatimeve pretendimet se gjobat e vendosura nuk janë në përputhje me ligjin. Një aksion i nisur nga tatimet në datat 20-24 tetor ka ndëshkuar në masë shoqëritë e mëdha të naftës, duke u vendosur gjoba deri në 400 milionë lekë dhe mbyllur 15 pika shitjeje. I gjithë thelbi i diskutimit lidhet me çmimet e shitjes, të cilat nuk përputhen me kontratat që importuesit kanë lidhur me shitësit e pakicës. Sipas disa udhëzimeve të lëshuara nga Ministria e Financave. Shitësit me shumicë, pra importuesit, duket binin në konsensus, duke lidhur kontratë për vendosjen e çmimit. Por nga verifikimi i bërë nga tatimorët, del se pikat e pakicës i kanë shitur sasitë jo me çmimin e kontratës dhe për këtë shkak gjoba i vendoset importuesit. Grosistët nuk e pranojnë ndëshkimin për një veprim që e kanë bërë tregtarët e vegjël, edhe pse me ta ka pasur një marrëveshje për kontrollin e çmimit.

"Kompanitë e hidrokarbureve janë të vetmet subjekte që i afishojnë çmimet gjatë gjithë kohës në tabelë. Bazuar te procesverbalet e kontrollit nga organet tatimore, të cilat nuk janë për çdo kompani, çmimet faktike nuk i afrohen aspak ‘çmimit mesatar‘ të investiguar nga tatimet, me të cilin janë penalizuar kompanitë hidrokarbure", sqaron letra e shoqatës.

Më tej importuesit thonë se "do të ishte më e pranueshme që të caktohet paraprakisht një çmim nga shteti dhe të mësohet se nuk ka liberalizim dhe as kërkesë-ofertë të tregut, sesa pasi kompanitë të kryejnë veprimtarinë e tyre të lirë, t‘u kërkohet me anë të vlerësimit një sasi të ardhurash të parealizuara faktikisht prej tyre". Në këto kushte, tregtarët e karburanteve i kërkojnë ministrit të Financave që me anë të Tatimeve të bëhet një tjetër vlerësim rast pas rasti, në mënyrë që të vihet e drejta në vend.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›