Prokurorët e thjeshtë: Duam mbrojtje, makina dhe kredi
Punonjësit në terren të organit të akuzës kërkojnë kushte më të mira, me qëllim rritjen e nivelit të procedimit penal, ndërsa u kanë parashtruar drejtuesve të prokurorive mbrojtje fizike, automjete për të lëvizur në gjykatë dhe institucione të tjera, si dhe lehtësira për strehim, duke u mundësuar kredi të buta. Një ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kërkoi në Komisionin e Ligjeve më shumë para për shtimin e organikës, prokurorë dhe hetues të thjeshtë janë kundër "ndihmësve" të prokurorëve. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka volum të madh pune si Gjykata e Lartë, që duhet të gjykojë çështje nga e gjithë Shqipëria, ndërsa rekomandojnë që "ndihmësit" të shndërrohen në prokurorë në disa rrethe që kanë një volum të madh pune si Tirana, Durrësi dhe Fieri. Në biseda jozyrtare deklarojnë se puna e organit të akuzës duhet të përqendrohet te mbrojtja fizike e tyre, pasi për çdo ditë kanë kontakte me persona me rrezikshmëri, ndërsa kërkojnë më shumë automjete në dispozicion për lëvizje në gjykatë dhe institucione të tjera. Njerëzit e akuzës janë kundër limitimit të automjeteve që kanë në dispozicion, pasi kjo gjë ul shpejtësinë e një procedimi penal. Dy ditë më parë, Kryeprokurorja Ina Rama kërkoi në Komisionin e Ligjeve fonde të veçanta për përcaktimin e një zyre të veçantë e ndihmësve ligjorë, që në total mund të jenë 11 punonjës me arsim juridik. Ndërkohë para janë kërkuar edhe për arsye të procedimeve penale në rritje në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit; duhet të krijohet një zyrë e veçantë për Shërbimet e Ekspertimeve në Prokurorinë e Përgjithshme me ekspertë të financave dhe të teknologjisë së informacionit. Ndërkohë kërkohet fond për plotësimin e njësive antikorrupsion prej 9 punonjësish, prej të cilëve 6 prokurorë dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore. Kryeprokurorja Ina Rama kërkoi lekë për pagat e prokurorëve të Magjistratës dhe për punësimin e 5 punonjësve si administratorë rrjeti.
S.Ç
S.Ç