E Shtunë, 31 Tetor 2026

A i rezistojnë godinat tërmetit?



Tërmeti i 6 shtatorit 2009 ishte 7 ballë dhe dëmtoi shtëpi në komunat e Dibrës. Shumë pjesë të globit tokësor preken nga dukuri të tilla të natyrës, duke u shoqëruar në shumë raste me dëme të mëdha. Një preokupim i natyrshëm shfaqet tek të gjithë ne, pasi ka të bëjë në radhë të parë me jetën e njerëzve si dhe me dëme ekonomike që shkaktohen. Në disa media jepet menjëherë lajmi i rënies së tërmetit si dhe i panikut të krijuar tek banorët, madje tregohet se shume nga këta kanë dalë jashtë nga frika e pasigurisë së ndërtimeve. Vlerësime jepen edhe nga persona që shkruajnë artikuj në gazeta, duke u shprehur në forma të ndryshme, por me përmbajtje të njëjtë, “pritet shembja e godinave të larta”.

E veçanta kundrejt të shkuarës është se sot ndërtimet në lartësi ecin me ritme të shpejta. Preokupimi i të gjithëve është siguria e objekteve nga veprimi i tërmetit, pa dalluar objekte të larta apo të ulëta.

Vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te objektet e larta, pasi risku sizmik është po aq i pranishëm edhe në ato me pak kate, që në shumë raste janë të rëndësishme, si shkolla, spitale, ndërtime social-kulturore etj.

Shembulli i tërmetit të Shkupit në vitin 1963 tregoi se u dëmtuan shumë objekte të ulëta, kurse të lartat patën vetëm dëme të vogla në elementet jostrukturore. Pra, në zonat e tërmeteve mesatare objektet e ulëta paraqesin rrezik më të madh sesa ato të larta. Ndryshe ndodhi me tërmetin e Alaskës në vitin 1964, ku u dëmtuan objektet e larta nga tërmetet e mëdha.

Po t’i referohemi tërmetit të 15 prillit 1979, në krahinat e Shqipërisë së Veriut, me intensitet 8 ballë në Shkodër dhe Lezhë, pati dëme në njerëz dhe objekte. Pjesa më e madhe e ndërtimeve të shkatërruara ishin si pasojë e moszbatimit të kushteve teknike që u vu re në objektet e vjetra. Ndërtimet e reja të vendosura në troje të përshtatshme të plotësuara me breza antisizmikë në themele dhe nënçati nuk pësuan dëme.

Objektet llogariten për intensitetin sizmik të rajonit dhe zbatohen me normat konstruktive të nxjerra nga përvoja e tërmeteve të mëparshme.

Të dhënat, faktet, analizat, interpretimet e dukurive të gjendjes së objekteve pas tërmetit pa dyshim që është një përvojë e madhe, e cila u jep shtytje të re studimeve, projektimit dhe zbatimit të ndërtimeve në fushën e inxhinierisë antisizmike. Këto studime sizmologjike dhe sizmio-gjeologjike qartësojnë mjaft aspekte që kanë të bëjnë me natyrën e tërmeteve në vendin tonë.

Rëndësi të veçantë duhet të marrë thellimi i mëtejshëm i studimeve gjeologo-inxhinierike gjatë procesit të projektimit të objekteve si dhe në studimet e përgjithshme për ngritjen e qendrave të banimit.

Tërmeti i 15 prillit tregoi që në fushën e projektimit dhe të ndërtimit antisizmik është e nevojshme të rishqyrtohen kushtet teknike, të cilat duhet të mbështeten në përvojën botërore. U bë një hap i mirë, me vlerë shkencore nga Instituti i Sizmikës.

Sot dokumentacionet ligjore të kushteve teknike të projektimit të konstruksioneve të ndërtimit antisizmik në vendin tonë janë të vitit 1989, pra të hartuara përpara 20 vitesh për objekte të ulëta që ndërtoheshin në atë kohë. A është e pranueshme të projektosh akoma me këto kushte teknike?

Kur flitet për kushtet teknike të një vendi, duhet pasur parasysh teknologjia e kohës, mundësia ekonomike si dhe cilësia e objekteve.

Detyra e rinovimit të kushteve teknike të vjetruara, me dokumentacionin bashkëkohor, që t’u përgjigjet ndërtimeve tona, është e vonuar.

Bazuar në studimet, përvojën në projektim dhe zbatim janë hartuar kushtet e projektimit për të gjitha vendet e Evropës. Pra, është bërë unifikimi dhe harmonizimi i kodeve të projektimit, të cilat u japin më shumë siguri ndërtimeve nga veprimi i tërmeteve.

Këtë detyrë e ka vlerësuar dhe kërkuar vazhdimisht Shoqata e Ndërtuesve dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, në seminare dhe konferenca kombëtare. Kjo gjë realizohet nëse angazhohen instancat vendimmarrëse shtetërore, duke e vlerësuar atë si nevojë emergjente.

Mbi këtë bazë garantohet më shumë fakti që tërmetet e rëna nuk duhet të shkaktojnë dëme, në të kundërt, arsyeja duhet kërkuar tek moszbatimi i kushteve teknike nga ndërtuesi dhe projektuesi.

Mendoj që në hartimin e objekteve të mëdha, ku sot ndërtimet po i kalojnë 20 kate, nuk duhet të angazhohet një projektues i ri apo i vjetër qoftë, që mjafton të ketë një licencë. Për të projektuar me cilësi dhe siguri këto ndërtime kërkohet një studio legale me disa specialistë, kryesisht konstruktorë, me të gjitha hallkat, përfshi dhe atë të kontrollit teknik.

Sot garancia e cilësisë së projekteve bazohet në të ashtuquajturën “oponencë teknike” që faktikisht nuk ka përgjegjësi dhe kryhet nga individë të veshur me autoritetin e institucionit. Lejet e ndërtimit të dhëna nga KRRT-të e bashkive nuk i marrin në konsideratë vërejtjet e bëra nga këto oponenca. Oponencat përmbajnë vlerësime dhe vërejtje për kushtet urbanistike, arkitekturën, instalimet dhe konstruksionin. Ajo në disa raste bëhet kur objekti është në fazën e karabinasë.

Në disa vende ka modele të ndryshme, madje garancinë e dëmeve e japin agjencitë e sigurimeve, të cilat kanë stafe specialistësh të zgjedhur dhe për çdo dëmtim detyrohen ligjërisht të zhdëmtojnë dhe të përballen më përgjegjësitë ligjore.

Cilësia e zbatimit të objekteve duhet të vihet mbi baza më të kontrolluara. Sot ajo realizohet nga supervizori, i cili është pjesë e stafit të kompanisë së ndërtimit, i cili detyrohet të zbatojë kërkesat e saj në dëm të thyerjes së disiplinës së kushteve teknike. Vlerë të madhe që ndikon në kontrollin e cilësisë ka edhe kolauduesi. Puna e tij nuk duhet të kufizohet vetëm në mbledhjen dhe përzgjedhjen e dokumenteve. Ai duhet të njohë mirë anën konstruktive dhe të kolaudojë me ngarkim elementët më kryesorë të strukturës. I rëndësishëm dhe parandalues në shkeljen e cilësisë është edhe autoriteti i projektuesit me pozicionin ligjor që duhet të ketë gjatë zbatimit të projektit të tij. Kjo, për faktin se ka raste kur investitori bën ndryshime në objekt, rrit numrin e kateve, zhvendos mure, ndryshon tipin e materialit etj.

Shpesh jepen opinione për dy objekte pranë, të ngjashëm, që i kanë të ndryshme përmasat e kolonave apo sasinë e hekurit në to. Nga një vëzhgim konkludojmë që njëri mban dhe tjetri jo. Kjo e ka bazën në zbatimin e kushteve teknike të ndryshme, pasi, nëse projekton me kushtet teknike ekzistuese, të vitit 1989, sigurisht harxhimi i materialeve është më i vogël.

Duhet të vlerësohet dhe roli i laboratorëve që bëjnë provat e materialeve në ndërtim. Me këtë organizim ndodh që investitori sjell për provë kampione materialesh më cilësore sesa ato që përdor në objekt. Laboratori mban përgjegjësi vetëm për cilësinë e dokumentuar në certifikatë dhe për ato kampione që provon. Kjo kërkon që kontrolli i cilësisë së materialeve në objekt të institucionalizohet.

Mendoj që në përgjithësi ndërtimet tona nuk duhet të etiketohen si të pasigurta nga tërmeti, pa dashur të marr përsipër cilësinë e zbatimit të tyre, por duke i vlerësuar nga bonsensi inxhinierik.

Është e vërtetë që edhe ka probleme në ndërtim, por nuk është e përgjithshme, në veçanti në objektet e reja dhe të larta. Nevoja për hapësira për shërbime në ambientet tregtare ka bërë që katet e para të godinave ekzistuese të ndryshojnë destinacion.

Shqetësimi për dëmtimet nga tërmeti janë të mëdha për garancinë e qëndrueshmërisë së këtyre objekteve. Janë bërë ndërhyrje të rrezikshme në katet e para, podrume, duke prishur elementët mbajtës apo themele apo në objektet me panele të parafabrikuara, duke hequr dhe ndonjë nga këto. Nga veprimi i tërmeteve të ndjeshme në objekt mund të ndodhin dëme materiale dhe pasoja të tjera.

Çdo pjesëtar i shoqërisë është i interesuar, qoftë edhe si një viktimë e mundshme ose pjesëtar në aksione për pakësimin e dëmeve. Ka rëndësi të madhe t’i bëhet e njohur publikut, në formën e një informacioni të plotë, natyra e rrezikut të tërmetit nëse ndërhyhet në strukturat bazë mbajtëse të objektit.

Do të këshilloja pronarë ambientesh që kanë bërë ndërhyrje në strukturat mbajtëse, të konsultohen me specialistë të veçantë për të marrë masa konstruktive shtesë, nëse është e nevojshme, për garancinë e jetës së tyre dhe banorëve në atë objekt. Po aq problematike janë edhe shtesat e objekteve ekzistuese, që shpesh janë bërë me brigadë punëtorësh, pa projekt dhe beton të përgatitur në sheshin e ndërtimit.

Ndërtimet pranë bregdetit apo sipërfaqeve ujore nga ndikimi i lëkundjeve sizmike i nënshtrohen procesit të lëngëzimit. Kjo duhet pasur parasysh nga investitori që t’i shmanget ndërtimit afër vijës ujore, në të kundërt, duhen marrë masa të forta inxhinierike që sigurisht kërkojnë vlera të mëdha monetare. Nga përvoja e tërmetit të 15 prillit 1979, kjo dukuri ndodhi në ndërtimet pranë bregut të Drinit dhe në Ishull Lezhë.

Për të mbrojtur në të ardhmen shtëpitë e vjetra, me gurë apo tulla që janë të konsumuara, ato duhet të përforcohen me breza antisizmikë, nëse nuk kanë. Të punohet për qepjen e çarjeve në muret e godinës apo punime të tjera në dobi të përballimit të forcave sizmike.

Në shkrimin e paraqitur do të shtoja se nuk mund të përqendrohemi në konkluzionin final se a janë godinat e sigurta nga tërmeti. Lëkundja e objekteve nga tërmeti është dukuri normale, që pa dyshim ndihen më tepër në katet e sipërme, por nuk do të thotë që objekti shembet. Ky është problem kompleks dhe duhet të bëhen vëzhgime, studime dhe prova te cilësisë së materialeve në objekt për të dalluar rastin që nuk i plotëson kushtet e sigurisë nga tërmeti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›