Rama: Berisha, i zhytur në korrupsion
Partia Socialiste filloi dje etapën e fundit të "Dialogut me Shqipërinë" për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Komuna Kukur e Gramshit ishte ndalesa e radhës në bashkëbisedimin me banorët për vështirësitë e jetesës. Rama bëri thirrje për një bashkim të ri, përtej kufijve të partive, sepse, sipas tij, përpara se të jemi socialistë dhe demokratë, jemi shqiptare e shqiptarë. "Unë besoj shumë te një bashkim, jo për interesa politikanësh apo grupe politike, por për interesat e familjeve shqiptare, për interesat e gjithë atyre që në Shqipëri duan të jetojnë me punë të ndershme dhe kërkojnë të krijojnë mirëqenie, qetësi, si dhe garanci për të ardhmen për fëmijët e tyre", u shpreh ai. Këtu në Kukur, vijoi Rama, socialistë e demokratë vuajnë po njësoj mungesën e punës, mbështetjen e shtetit, mungesën e infrastrukturës, e rrugës që është e tmerrshme për t‘u lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë. "Duhet të bashkohemi për t‘i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje, këtij tranzicioni pa fund, nga kjo politikë e vjetër dhe e së shkuarës, që shëmbëlltyrë të vet ka Kryeministrin Sali Berisha, së bashku me ca ministra, që e ka kthyer qeverinë në një zyrë avokatie për konfliktet e tij me institucionet dhe shtetin", u shpreh Rama. PS-ja mendon se për ta çarë këtë izolim, këtë mur të lartë që ka hapur kjo politikë e vjetër dasish, ne të gjithë duhet të bashkohemi. "Është koha e qytetarëve, në qytet apo fshat, është koha e atyre që duan punë të ndershme dhe nuk duan të marrin arratinë, të mbyten nëpër dete apo kanale për një copë bukë, apo sepse nuk ushqejnë dot familjet e tyre", vijoi Rama.