E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti Berisha Rama po mban peng integrimin e vendit

Lehtësimi i procedurave për dhënien e tokave të papunuara,  kthimi i banesave tek pronarët, si dhe heqja e imunitetit ishin tre nga çështjet kryesore të trajtuara sot në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri Berisha. Sipas kreut të mazhorancës mosmiratimi i heqjes së imunitetit do të thotë qartazi se lidershipi socialist po mban peng imunitetin. 

Berisha: Bujqësia ka potencial shumë të madh punësimi Vendorët t’u japin tokat e papunuara atyre që duan ti punojnë. Në funksion të këtij qëllimi qeveria vendosi lehtësimin e procedurave për tokat e papunuara. Një vendim i tillë u i bë i ditur sot nga Kryeministri, Sali Berisha  “U bëj thirrje qeveritarëve vendore, të shohin këtë vendim si një mundësi të re të madhe për krijimin e mijëra vendeve të punës. Të shohin këtë vendim si një mundësi e madhe që u jepet atyre për të adresuar probleme themelore të familjeve. Në rast se ne konsiderojmë dhe e kemi konsideruar qytetarin të parin, nuk mund të ketë asnjë mëdyshje se synimi i të gjitha reformave tona është që të mbështesim, të ndihmojmë  dhe ta bëjmë atë më të begatë përmes punës së tij, më të lirë përmes forcimit të shtetit ligjor dhe garantimit të lirive të tij”, vuri në dukje Berisha. Në këtë kontekst, sipas tij, janë marrë një seri masash që kanë lehtësuar dhe lehtësojnë biznesin vogël, që kanë lehtësuar biznesin në tërësi, por suksesi i arritur në koncesionet me hidrocentralet duhet të frymësojë çdo degë të ekonomisë, çdo kryetar komune dhe bashkie të vendit. “Potencialet janë të jashtëzakonshme. I ftoj ata të bëjnë gjithçka që tokat e papunuara të territorit të tyre t'u jepen atyre që kanë dëshirë dhe vullnet për ta punuar. Pronësia nuk humbet por jepen me të dhjeta, taksë e drejtë dhe e ndershme. aty ku toka është djerrinë apo komunale t'ua japin me një euro, kundrejt kushteve për të zhvilluara plantacionin, fermën blegtorale apo me bimë mjekësore etj”, deklaroi shefi i ekzekuitivit.  Po kështu, Kryeministri kërkoi nga ministria e linjës që të përparësojë në grantet që jep përfituesit e këtyre parcelave nga autoritetet vendore për zhvillimin e tyre.  “Është e domosdoshme që një ekip i Ministrisë së Bujqësisë, pas miratimit të këtij vendimi që lehtëson më shumë procedurat dhe u jep autoritet krerëve të njësive vendore, por duhet një monitorim i këtij procesi, ku pengohet. Ndoshta duhet organizuar seminar në shkallë rajoni apo promovim në mediat lokale të këtyre potencialeve. Çdo tokë e dhënë e papunuar është janë vende pune të krijuara”, vlerësoi Berisha, lidhur me një çështje të tillë. 

Berisha: Banesat t'u lirohen pronarëve “Të përgatitet dekret-ligji me qëllim që banesat t'u lirohen pronarëve. Do të ngarkohet Enti i Banesave dhe do të përdoren të gjitha mjetet e shtetit për të zbatuar ligjin”. Kështu u shpreh kreu i qeverisë lidhur me një tjetër çështje të trajtuar prej tij në këtë mbledhje.  Ndërkohë që në vijim të këtij qëndrimi, Berisha bëri me dije faktin se banuesve të këtyre banesave u ofrohet kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet.  “Ne kemi mbi dy vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku funksion diku jo se kryetari i bashkisë nuk do dhe nuk i pyet. Pronarëve do t'u kthehen shtëpitë. Ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to, që të gjitha duhet të jenë objekt denmoncimesh në prokurori. Shtëpia duhet të lirohet. Enti i Banesave, ligji do parashikojë, nëse brenda një afai të caktuar bashkia nuk e zbaton, enti do të ndërhyjë me të gjithë forcën e ligjit dhe ta zbatojë atë. Nuk mund të shkohet me pronarët më në këtë mënyrë. Shumica janë kthyer, por prapë janë disa mijëra dhe kryesisht janë në Tiranë, sepse këtu ka patur më shumë”, vlerësoi Berisha. 

Berisha: Ftoj Ramën të votojë imunitetin  Kryeministri Berisha ftoi sot dhe njëherë tjetër opozitën që të votojë në 6 gusht pro heqjes  së imunitetit.  “Ftoj zotin Rama të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive për të votuar një ligj që u hartua nga ekspertët më të mirë, të doktrinës dhe imunitetit, qoftë për parlamentit dhe qeverinë, qoftë për drejtësinë. Për një drejtues nuk mund të ketë kurrë një pengesë që të mos votojë një akt të tillë në të cilin u thotë qytetarëve se ne do të jemi si ju, të barabartë para ligjit. Për më tepër kur një nismë e tillë në parlamentin shqiptar është që nga 2003-shi”, vuri në dukje Berisha. Madje, si për të bindur lidershipin socialist në rëndësinë e miratimit të kësja nisme, kreu i mazhorancës e orientoi atë në drejtimin që duhet të marrë për të ndjekur rrugën e duhur.  “Është njëmijë herë më mirë të dëgjosh zërin e të papunit që sot nuk e di se çdo tu japë nesër fëmijëve të tij, sepse korrupsioni ua merr atyre kafshatën nga goja, të dëgjosh më mirë një nënë që ka humbur bashkëshortin dhe rrit dy fëmijë jetim sepse korrupsioni pengon që fëmijët e saj të kenë një trajtim më dinjitoz dhe më të mirë. Mendoj se më mirë të dëgjosh zërin e pensionistit që qan pa lot çdo ditë sepse ka dhimbje për përballimin e jetës së përditshme me pensionin që merr sepse imuniteti e pengon që të marrë më shumë. Nuk mund të gjej kurrë një motiv për të penguar heqjen e tij”, u shpreh kryeministri, duke mos kursyer dhe një herë tjetër apelin ndaj opozitës parlamentare për miratimin e heqjes së imunitetit. “I bëj thirrje dhe nëj herë zotit Rama ta mendojë dhe rimendojë se kjo që bën është tmerrësisht e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. Është një mur që ngrihet në procesin e integrimit.  Detyra jonë është ta shembim atë jo ta ngremë. Por në rrafshin njerëzor çfarë është imunitetit? Gjenerator kryesor i korrupsionit, i pabarazisë së qytetarëv dhunimit të të drejtave të tyre. Nuk mund të mbrohet. Erdhëm në kushtet që kërkove zoti Rama, tani nuk mund të refuzosh”, nënvizoi Berisha. Në vlerësimin e tij, heqja e imunitetit rrit transparencën, nxitet më shumë punësimi në tërësi, shoqëria bëhet më e drejtë, liritë e të drejtat bëhen më të garantuara.  Madje, në gjykimin e kreut të ekzekutivit, nuk qëndron asgjë në analizën që bën kryetari rama mbi një çështje të tillë.  “A nuk patën ata një prokurori që botonte çdo ditë dosje për të ndihmuar ata? Por janë interesat e ngushta të klubit të miliarderëve, i cili dikton gjithçka në atë parti. Janë gati të lëshojnë pallate të tëra, por jo imunitetin. Nuk kam gjë personale kundër tyre, por fakti që marrin peg imunitetin e vendit përbën problem jashtëzakonisht shumë serioz. Megjithatë unë uroj që deri më datën 6 të arrihet të studiohen më me vëmendje ato ligje”, u shpreh Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›