E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Kuvendi e shqyrton më 6 Gusht, Rama: Padiskutim pro

Tiranë- Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë me datën 6 Gusht ndryshimet kushtetuese të propozuara nga mazhoranca për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Ditën e sotme Konferenca e Kryetarëve mori vendimin që më 21 Korrik të mblidhet Këshilli Legjislativ dhe më datën 22 Korrik të mbahet mbledhja e ekspertëve të Kushtetutës për ndryshimet që parashikohen të bëhen në ligjin themeltar të vendit.

‘Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli thirri  sot Konferencën e Kryetarëve për të hartuar kalendarin për shqyrtimin e nismës  së ndryshimeve kushtetuese për imunitetin e zyrtarëve të lartë. Nisma është marrë nga një grup i deputetëve të maxhorancës  dhe është depozituar me datë 6 korrik 2012. Sipas rregullores, trupa që shqyrton amendamentet  kushtetuese përbehet nga këshilli i legjislacionit dhe komisioni për çështjet ligjore nën drejtimin e kryetarit të kuvendit, Rregullorja parashikon zhvillimin e mbledhjes jo më herët se dy javë nga depozitimi  nismës. Për këtë arsye Konferenca e Kryetarëve caktoi datat 20-21 korrik 2012, si data për shqyrtimin e nismës dhe zhvillimin e dëgjesave  me ekspertë konstitucionalistë. Konferenca e Kryetarëve përcaktoi dt 6 gusht 2012 si datë për shqyrtimin e nismës në seancë plenare’- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ku shtohet se kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e drejtueses të mbledhjes të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për çështjet Ligjore, mirëpret konstitucionalistët për një qëndrim pro aktiv në shqyrtimin e kësaj nisme për ndryshimet Kushtetuese.

Ndërkohë ditën e djeshme kryeministri Berisha i ribëri thirrje opozitës që ta votojnë heqjen e imunitetit pasi nisma e dorëzuar nga demokratët në Kuvend përmban edhe modelin e pranuar nga PS-ja. Teksa kjo e fundit deklaroi sot, përmes kryetarit të saj zoti Rama, se është plotësisht e gatshme për ta votuar pro heqjen e imunitetit duke i cilësuar deklaratat ndaj saj të kryeministrit si justifikim për ta fajësuar më vonë atë për dështimin e paralajmëruar në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në vjeshtën e këtij viti.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar sot votën pro heqjes së imutieti për zyrtarët e lartë duke shtuar se akuzat ndaj selisë rozë janë thjesht një justifikim për të fajësuar opozitën për dështimin e paralajmërar për marrje e statusit kandidat në BB në vjeshtën e këtij viti.

‘Qëndrimi ynë është publik, duhet hequr dhe kufizuar sipas një nismë të qartë kushtetuese dhe ligjore. As unë nuk kam imunitet dhe as edhe një nga deputetët e PS-së sështë fshehur kurrë kur i është kërkuar. Rasti më i freskët është dorëheqja imediate nga imuniteti i Bares, Doshit dhe Ballës kur prokuroria kërkoi vënien e tyre në dispozicion për hetimet e 21 Janarit. Në e votuam unanimisht pro. S’ka dilemë nëse duhet hequr apo kufizuar imuniteti. Propganda është e pështirë, për të fajëusar opozitën për dështimin e paralajmëruar për statusit në verë’- tha Rama në mbledhjen e grupit Kuendor të PS-së.

Heqja e imunitetit është një kërkesë e artikuluar shpesh si pengesë e hetimeve që has prokuroria shqiptare dhe një ndër kushtet kryesore që Bashkimi Evropian t’i ndezë dritën jeshile Shqipërisë drejt rrugës në integrimit.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›