E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti Topi Jo mburoje korrupsionit

Një draft i europianëve për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ka sjellë përsëri debat të nxehtë mes intitucioneve dhe forcave politike, të cilat kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të luftuar korrupsionin. Presidenti Topi tha se politikanët ndihen të pakapshëm nga ligji dhe se e përdorin imunitetin si korracë ligjore.

• Europianët për imunitetin: Ndryshoni Kushtetutën

"Politikanë, gjyqtarë, dhe zyrtarë të lartë, për shkak të kësaj mbrojtjeje kushtetuese të tyre ndihen të pakapshëm nga forca e ligjit. Imuniteti nga një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të detyrës dhe mandatit të dhënë shpesh herë është kthyer në korracën mbrojtëse të papërgjegjshmërisë dhe të korrupsionit", tha presidenti Topi.

"Në Shqipëri është me rëndësi jetike të luftohet korrupsioni në drejtësi, përmes dhe limitimit të imunitetit të gjyqtarëve. Inciativa e sotme është vecanërisht e rëndësishme pasi synon të nxisë procesin për të garantuar një kuadër ligjor që lufton korrupsionin në të gjitha fushat", u shpreh Etore Sequi, ambasadori i BE në Tiranë.

Ndërkohë kryeprokurorja Ina Rrama është ankuar se imuniteti i zyrtarëve i ka sabotuar hetimet duke i bërë madje dhe të pamundura. Ndërsa për ministrin e Drejtësisë Halimi, ky është thjesht një justifikim.

"Mbrojtje që shkon praktikisht deri në pamundësi për organet e hetimit për të mbledhur prova në ngarkim të këtyre zyrtarëve që gëzojnë imunitet nga ndjekja penale", tha Ina Rama, prokurore e Përgjithshme.
 
"Askush nuk e pengon prokurorinë të hetojë të mbledhë prova, dëshmi, shkresa para apo pas marrjes së autorizimit, si për qytetarët ashtu dhe për zyratrët me imunitet. Nuk ka qytetar dhe nuk ka fëmijë në këtë vend që nuk e di se asnjë gjyqtar, asnjë zyrtar nuk e bën korrupsionin drejt për drejt. Korrupsionin e bëjnë sekserët, biznesmenët, avokatët, policët, prokurorët, të gjithë", u shpreh Eduard Halimi, ministër Drejtësie.

Para një viti u ndryshua rregullorja e Kuvendit, ku deputetet hiqnin dorë vullnetarisht nga imuniteti. Por sipas ekspertëve të PAKA-s, kjo nuk ka asnjë vlerë ligjore, ndaj duhet të ndryshojë Kushtetuta.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e martë , 18 tetor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›