Shpallet fituesi i tenderit të kartave
Shpallet fituesi i tenderit të kartave të identitetit pas verifikimeve të kryera nga Agjencia e Prokurimeve Publike. Tashmë, firma SAGEM do të nisë me ndërtimin e infrastrukturës dhe prodhimin e pasaportave. Kjo është deklaruar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë një konference për shtyp. "Siç jeni në dijeni, pas përfundimit të vlerësimit nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, disa prej kompanive paraqitën ankesat e tyre pranë autoritetit përkatës, Agjencisë së Prokurimeve Publike. Agjencia e Prokurimeve Publike zhvilloi hetimin e saj administrativ dhe në përfundim të verifikimit të të gjithë procedurave vendosi dhe për këtë njoftoi autoritetin kontraktues, Ministrinë e Brendshme, që e ka gjetur të ligjshëm dhe të rregullt të gjithë procesin e vlerësimit të ofertave dhe ta lejojë autoritetin kontraktues, pra Ministrinë e Brendshme, të vazhdojë procedurat e mëtejshme për dhënien me koncesion të projektit për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike", tha Nishani. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për afatet e zbatimit të projektit, ministri i Brendshëm deklaroi se që nga momenti i nënshkrimit të kontratës, për maksimumi 6 muaj është parashikuar ngritja e gjithë sistemit, që do të thotë brenda këtij viti ngrihet tërë sistemi për aplikimin, personalizimin dhe prodhimin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. "Mbetem po në atë deklaratë që kam bërë në emër të Ministrisë së Brendshme, që në fund të verës së këtij viti përfundon regjistri i ri elektronik i shtetasve dhe në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, qytetarët shqiptarët do të kenë në dispozicion letërnjoftimet elektronike, e po kështu do të kenë mundësinë të pajisen edhe me pasaportat biometrike, të cilat do t‘i ndihmojnë ata për lëvizjen e lirë nëpër Evropë. Ministri i Brendshëm, Z. Bujar Nishani, theksoi edhe njëherë në konferencë se ky projekt është i lidhur me një sërë zhvillimesh të rëndësishme të institucioneve.