Partia Socialiste: Berisha të shkarkojë Sefgjinin
Socialistët i bënë thirrje dje Kryeministrit Sali Berisha të shkarkojë drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Sekretari i grupit parlamentar, Musa Ulqini, inkurajoi prokurorinë në zbardhjen e dosjes "Hoxha". "Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën arrest shtëpie për Arben Sefgjinin, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, për akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria për rrëmbim e vrasje personi", tha Ulqini. Ai konstatoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur pas 13 vjetëve çështjen e rrëmbimit dhe të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, i cili implikon drejtpërsëdrejti në atë që është vlerësuar si krim shtetëror ish-drejtues të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar. "Emri më i përfolur në këtë krim shtetëror është ai i Arben Sefgjinit, i cili ka qenë drejtor i Shërbimit Informativ të Tiranës deri në vitin 1997", u shpreh Ulqini. Sipas tij, investigimet e bëra nga mediat hedhin dritë për shkakun e zhdukjes më 21 tetor 1995 të Remzi Hoxhës. Ulqini i referohet mediave teksa thotë se Hoxha është rrëmbyer nga agjentët e SHIK-ut për shkak të një informacioni që ai kishte arritur të mësonte. "Që bënte fjalë për një takim të zhvilluar në qytetin e Ohrit dhe që asnjëherë nuk u bë publik, mes dy presidentëve respektivë të kohës të ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë", vijoi Ulqini. Sipas informacionit në fjalë, shtoi ai, ky takim i hapi rrugën kontrabandës së naftës me ish- Jugosllavinë, ndaj së cilës ishte vendosur embargo nga OKB-ja për shkak të konflikteve etnike. PS-ja vlerëson se kjo kontrabandë, e njohur si vepër penale, është pranuar tani edhe nga vetë zoti Sali Berisha, e cila furnizoi me naftë makinën ushtarake serbe në një prej luftërave etnike më të përgjakshme në Evropë. "Edhe pse me precedentë penalë dhe njeriu më i përfolur për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Arben Sefgjini u emërua me firmën e Kryeministrit Berisha në dy poste shumë të larta shtetërore", sqaroi Ulqini. Në emër të grupit parlamentar të PS-së ai i kërkoi Kryeministrit të shkarkojë menjëherë nga funksioni i drejtorit të përgjithshëm i Tatimeve zotin Arben Sefgjini. Ndërsa inkurajoji institucionin e akuzës që të thellojë hetimet në mënyrë që të zbardhë shkakun e vërtetë të rrëmbimit dhe të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha.