E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sefgjini, paradite në punë, pasdite nën arrest

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, është "kërcënuar" nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me arrest në burg, nëse thyen vendimin e gjykatës, e cila vendosi masën e arrestit shtëpiak, në lidhje me dosjen "Hoxha". Prokurori Xhevat Hana, në një prononcim për gazetën "Shqip" tha dje se duke filluar nga momenti i ekzekutimit të masës së arrestit, tre të dyshuarit për vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës nuk kanë të drejtë të lënë shtëpitë për çfarëdo arsye. Largimi nga shtëpia bëhet nën dijeninë e oficerit të policisë gjyqësore dhe me miratimin e prokurorit të çështjes. "Për ekzekutimin dhe kontrollin e tre ish-shikasve merret Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Pyetjes se për çfarë arsyeje drejtori i Tatimeve pranë Ministrisë së Financave, Arben Sefgjini, ishte paraqitur në vendin e punës, duke "kundërshtuar" vendimin e gjykatës, zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda deklaruan se oficerët e policisë gjyqësore të prokurorisë kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës vetëm në orët e pasdites së djeshme. "Në momentin që drejtori i Tatimeve është paraqitur në detyrë, hetuesit e çështjes ende nuk i kishin komunikuar vendimin e gjykatës. Në vendim janë paraqitur qartë të gjitha masat ligjore ndaj tre të dyshuarve për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Në të shkruhet se, nëse thyhet vendimi, atëherë prokuroria është e detyruar të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, duke arrestuar shkelësit e ligjit", deklaroi organi qendror i akuzës.

Gjatë ditës së djeshme, oficerët e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë përpiluar të gjithë dokumentacionin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Në vendim thuhet shprehimisht se: Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi duhet të qëndrojnë nën masën e arrestit shtëpiak. Vendimi përcakton se oficerët e Krimeve të Rënda do të vlerësojnë nëse masa shtrënguese po zbatohet ose jo. Puna e oficerëve të policisë ka filluar në orët e mesditës së djeshme. I pari që është njohur zyrtarisht me masën e vendosur nga gjykata ishte Avni Koldashi. Ish-shefi i bazës vëzhguese të SHIK-ut në Tiranë është paraqitur rreth orës 12:30 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke zhvilluar një bisedë më oficerin e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda. Hetuesi i çështjes i komunikoi Koldashit masën e vendosur nga gjykata, duke i parashtruar edhe kushtet që kanë vendosur togat e zeza. Koldashi mori paralajmërimin se nëse thyen vendimin e gjykatës atëherë organi i akuzës do të urdhërojë arrestimin e tij. Hetuesit e çështjes i kanë komunikuar edhe familjes së Budjon Meçes vendimin e gjykatës, pasi ish-zyrtari i SHIK-ut të Tiranës është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Pas vendosjes së dy masave të mësipërme, ku oficerët e policisë gjyqësore kanë hasur në kundërshtimin e të pandehurve, puna e organit të akuzës është përqendruar në ekzekutimin e vendimit të gjykatës ndaj drejtorit aktual të Tatimeve, Arben Sefgjinit, në apartamentin e tij, në afërsi të fushës së aviacionit, në Tiranë. Burimet nga akuza qendrore thanë se rreth orës 15:40, Sefgjini sapo ishte kthyer nga Drejtoria e Tatimeve, kur në derën e shtëpisë ka hasur hetuesit e çështjes. Këta të fundit i kanë bërë me dije vendimin e gjykatës, ndërsa i kanë parashtruar edhe detyrimet ligjore që e presin në rast se vendimi shkelet. Pas procedurave zyrtare, oficerët e policisë gjyqësore janë rikthyer në prokurori, ku kanë marrë tashmë direktivat e reja. Puna e tyre do të asistojë në kontrollin e tre ish-drejtuesve të SHIK-ut në vitin 1995, të cilët akuzohen për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit.

Tatim-Taksat

Sefgjini vazhdon punën normalisht

Pavarësisht vendimit dy ditë më parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda për arrest shtëpie, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave, Arben Sefgjini, ka vijuar normalisht punën. Dje, një ditë pas vendimit për arrest shtëpie, kreu i Tatimeve, ka qëndruar gjatë gjithë ditës në zyrën e punës. Më parë kishte lëvizur nga drejtoria, për t‘u kthyer sërish në punë rreth orës 11:30, i rrethuar nga shoqëruesit e tij. Edhe pse në plan të parë dukej se puna në Drejtorinë e Tatimeve do të ishte kaotike, qetësia e Sefgjinit në drejtim të ushtrimit të detyrës, ka normalizuar punonjësit, të cilët kanë punuar si të gjitha ditët e tjera. Mësohet se kreu i Tatimeve, gjatë fundjavës, është takuar me krerë të FMN-së, duke i njohur me rezultatin e arritur në drejtim të arkëtimeve. Kjo tregon edhe një herë faktin se Arben Sefgjini nuk ka ndërmend të lërë funksionin, paçka se gjykata ka kërkuar arrest shtëpie. Burime të afërta pranë Sefgjinit bëjnë të ditur se shumë shpejt kreu i Tatimeve do të dalë në publik për të sqaruar pozicionin e tij rreth çështjes "Remzi Hoxha".

Do të njihet me vendimin e dhënë për arrestin në shtëpi

Sefgjini, brenda tri ditësh

në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Ish-zëvendësdrejtori në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Arben Sefgjini, dhe ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit të SHIK-ut, Avni Koldashi, për të cilët ditën e diel gjykata caktoi si masë sigurie arrestin në shtëpi, brenda së mërkurës do të paraqiten pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. I njëjti detyrim ligjor parashikohet edhe për të pandehurin tjetër, Budjon Meçe, por nisur nga gjendja e tij e rënduar shëndetësore, ardhja e tij në gjykatë duket e pamundur. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të kësaj gjykate, të cilat sqaruan për "Shqip", se prokuroria ka për detyrë t‘i komunikojë atij masën e sigurisë, e cila ka filluar që ditën e dhënies së vendimit. Ndërsa brenda tri ditësh i pandehuri duhet të paraqitet përpara gjykatës për t‘u njohur zyrtarisht me vendimin e dhënë. Të njëjtat burime thanë se kontrolli i zbatimit të masës së sigurisë është një detyrë e prokurorisë dhe oficerëve të policisë gjyqësore, që mbulojnë këtë çështje. Pas vendimit të gjykatës, prokuroria kontakton me të pandehurit dhe i informon ata për masën e marrë dhe detyrimet që kanë sipas përcaktimit të ligjit për këtë masë.

Ndërkaq nga gjykata janë sqaruar dje edhe disa nga rrethanat kryesore në të cilat u dha vendimi për arrestin në shtëpi të ish-zyrtarëve të SHIK-ut, që akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Kështu një nga kërkesat kryesore që ka paraqitur gjykatësi i çështjes ndaj prokurorisë dhe që shkaktoi shtyrjen e seancës ka qenë paraqitja e adresave të sakta të të pandehurve. Në kërkesën e prokurorisë, me përjashtim të adresës së Arben Sefgjinit, nuk ka pasur asnjë adresë tjetër për dy të pandehurit e tjerë, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, çka duket se e ka detyruar gjykatësin e çështjes që të shtyjë vendimin e tij. Lidhur me mungesën e të pandehurve apo avokatëve të tyre mbrojtës në seancën e së dielës, gjykata ka sqaruar se kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës duhet të jenë të fshehta dhe për këtë ligji nuk parashikon njoftimin e tyre. Pavarësisht se media arriti të zbulonte dhe të publikonte përpara kohe kërkesën e prokurorisë, seanca dhe vendimi i gjykatës, sipas ligjit, duhej të ishin sekret deri në momentin që do t‘u komunikoheshin të pandehurve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›