E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e internetit "sulmojnë" faqen e Kryeministrisë

Një shaka e rëndë pa kripë, nga persona anonimë, ka shqetësuar dje zyrën e shtypit në Kryeministri dhe personat përgjegjës që merren me rregullimin e faqes së internetit të Këshillit të Ministrave. Nën siglën e Kryeministrisë, një faqe pirate është hapur dje nga persona anonimë, ku nëpërmjet një emaili të shpërndarë përmes postës elektronike, të mbuluar nën emrin e zëdhënëses së Kryeministrit, njoftohet se faqja zyrtare online e Këshillit të Ministrave ka ndryshuar nga www.keshilliministrave.al, është bërë www.këshilliministrave.org. Zyra e shtypit në Kryeministri e ka cilësuar si të pavërtetë lajmin për ndryshimin e faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave, duke dënuar veprimin e bërë nga persona anonimë që luajnë nën siglën e Kryeministrisë. Nuk është hera e parë që sulmohet faqja online e qeverisë, veçse këtë herë precedenti ka ndodhur në një formë tjetër. "Sulmi" i fundit kibernetik në adresë të qeverisë ka ndodhur 8 muaj më parë, nga persona që edhe sot kanë mbetur anonimë. Në faqen pirate gjenden lajmet më të fundit të politikës, por të trajtuara në formën e një humori, ku përfshijnë nismën e kreut të LSI-së, Ilir Metës, për të bërë një referendum për Kushtetutën, por edhe komunikimin midis Presidentit Topi dhe ish-ministrit Mediut, që sipas informacionit të gjendur në këtë faqe është bërë nëpërmjet laptopit. Pas incidenteve të përsëritura nën siglën e Këshillit të Ministrave, pakkush e di që në Shqipëri Kodi Penal e dënon këtë akt me gjobë, burg tre vjet, ose në rast se është me pasoja të rënda kap dënimin deri në shtatë vjet heqje lirie. Megjithëse Kodi Penal ka ende nevojë të pasurohet në lidhje me këtë prizëm. Në vitin 2001 është shtuar një nen në të, neni 192/b, i cili dënon ndërhyrjen në transmetimet kompjuterike. Sipas këtij neni shtuar në ligjin nr. 8733 datë 24.01.2001, ndërhyrja në çdo formë në transmetimet dhe programet kompjuterike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet. Por kjo vepër, në rast se ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›