E Diel, 1 Nëntor 2026

Talasemikët: Edhe të huajt po “tallen” me analizat tona

“Janë nisur një sërë projektesh për depistimin e mbartësve të talasemisë, por edhe të huajt që kanë ardhur në qytetet problematikë kanë marrë gjakun e fëmijëve për analiza dhe nuk janë parë më”, kështu u shpreh dje në Ditën Botërore të Talasemisë, kreu i Shoqatës së Talasemikëve, Musa Zenelaj.

zirina llambro

 Sipas tij, veç hapave pozitive në trajtimin e të sëmurëve duhet të merren masa për forcimin e laboratorëve në spitalet publike. Ndërkaq një tjetër problem madhor mbetet siguria e gjakut. Sipas shoqatës, 500 fëmijë me talasemi marrin gjak të pasigurt, çka i bën të rrezikojnë edhe marrjen e sëmundjeve vdekjeprurëse. Nga të dhënat rezulton se, një numër i madh i tyre janë prekur për shkak të transfuzionit nga hepatitin B dhe C. Për rrjedhojë u duhet të trajtohen për dy sëmundje njëherësh. Apel për rritjen e dhurimit vullnetarë bënë dje edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë. “Gjaku i sigurt është mjeti i parë për të ndihmuar fëmijët dhe të gjithë personat e prekur nga sëmundja e anemisë mesdhetare, e njohur ndryshe si talasemia”, tha Vjollca Duro specialistja e gjakut në ministri. E pranishme në takimin e djeshëm “Talasemia nuk ka kufij moshe” për të rritur sensibilitetin për sëmundjen, Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit njëkohësisht dhe presidente e fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenick Scaglione” theksoi se, diagnostikimi dhe depistimi në kohë i talasemisë janë mënyrat më efektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje. “Akoma nuk dihet se ekziston një laborator në maternitetin e Tiranës dhe një qendër rajonale e homoglobinopative në qytetin e Lushnjës, që përcaktojnë që në fillim problemet e talasemisë”, vijoi Liri Berisha. Ajo u shpreh se, “kjo ndodh vetëm si pasojë e mungesës së informimit, për të cilin nevojitet një angazhim më i madh i institucioneve dhe organizatave që operojnë në fushën e shëndetësisë. Sipas të dhënave të depistimeve të pjesshme të kryera në vendin tonë, frekuenca e bartësve të talasemisë llogaritet rreth 8%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›