E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli ul në një tryezë Berishën dhe Ramën

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ul në një tryezë dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, Sali Berisha dhe Edi Rama.

BLEDAR HOTI

Reformat dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ka nxitur kryeparlamentaren që të organizojë takimin e sotëm, ky në kuadër dhe të 2-vjetorit të nënshkrimit të MSA-së nga ana e Shqipërisë. Java evropiane e Shqipërisë ka bërë që drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare të ulen në një tryezë të përbashkët. Sot në orën dhjetë, në hotel “Tirana International” zhvillohet konferenca “Dy vjet nga nënshkrimi i MSA-së – Roli i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”. Kjo konferencë organizohet nga Kuvendi, në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së, si dhe me Lëvizjen Evropiane Shqipëria. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, edhe në cilësinë e Moderatores së Konferencës, do të mbajë fjalën e mirëseardhjes. Për rëndësinë e bashkëpunimit politik në stadin aktual të reformave, pritet të diskutojnë rreth këndvështrimit të qeverisë, të opozitës dhe të Komisionit Evropian, respektivisht, Sali Berisha, Edi Rama dhe Helmuth Lohan. Gjithashtu të ftuar do të jenë dhe Ilir Meta, kreu i LSI-së, në cilësinë e kreut të Komisionit parlamentar për Integrimin, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, si dhe deputetë dhe përfaqësues të OJQ-ve. Tema kryesore e diskutimit do të jetë drejtimi i procesit nga institucionet vendore; mënyrat e një ndërtimi të një dialogu sistematik me grupet e interesit mbi sfidat e integrimit evropian dhe politikat e BE-së që promovojnë demokratizimin dhe shtetin e së drejtës. Temë tjetër është edhe roli i parlamentarëve në kuadrin e marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Dy liderët e PD-së dhe të PS-së, Sali Berisha dhe Edi Rama, do të “përplasen” publikisht, pas një periudhe të gjatë kohore, pas marrjes së ftesës së samitit të NATO-s, si dhe pas ngjarjes tragjike të ndodhur më 15 mars në Gërdec të Vorës. Ky ballafaqim vjen dhe pas ndryshimit të ndërmarrë të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, Kushtetutës, me bekimin e dy partive të mëdha, socialistëve dhe demokratëve. Ndërsa një çështje tjetër që pritet të diskutohet do të jetë edhe çështja e reformës zgjedhore dhe asaj të sistemit të drejtësisë në vend. Forcimi i shtetit ligjor shihet dhe si një nga sfidat e shtetit shqiptar përgjatë këtij tranzicioni afro 20-vjeçar. Ndërkombëtarët vazhdojnë të vejnë theksin e tyre në realizimin e shpejtë të reformës zgjedhore, duke kërkuar që ajo të bëhet jo në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Në konferencën e sotme, shefi i Komisionit Evropian në Tiranë, Lohan, pritet të mbajë qëndrimin e institucionit që përfaqëson në lidhje me reformat dhe sfidat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për anëtarësimin në BE.

Presidenti Topi mungon në tryezë

Në konferencën e sotme pritet të mungojë Presidenti i vendit, Bamir Topi. Kreu i shtetit çuditërisht është lënë jashtë kësaj konference, edhe pse do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve shtetërore të vendit. Topi, ndoshta është lënë jashtë kësaj tryeze të përbashkët për shkak se pozicioni i tij është mbi palët. Pas ndryshimeve në Kushtetutë, mes Presidentit nga njëra anë dhe Kryeparlamentares dhe Kryeministrit ka pasur një përplasje të hapur. Mes tyre ka pasur përplasje që u reflektua dhe me kthimin e ligjit për legalizimet. Presidenti Topi ishte një ndër kryesorët që realizoi uljen në një tryezë të Berishës dhe Ramës, gjatë organizimit të tryezës për çështjet e bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij lokal, ku në fokus ishte zhvillimi urbanistik i Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›