Sekretari i Thesarit në SHBA: Rreziku për bankat vazhdon
Sekretari i Thesarit në Shtetet e Bashkuara, Henry Paulson, paralajmëroi se bankat ende rrezikohen nga falimentimi. Sipas tij, ato janë të rrezikuara pavarësisht nga paketa 700 miliardë dollarëshe e qeverisë për t'i ardhur në ndihmë sektorit financiar.
"Edhe me masat e reja te autoriteteve te thesarit, disa institucione financiare do të falimentojnë. Akti i Emergjencës së Stabilizimit Ekonomik nuk ka si objektiv qe të shpëtojë çdo institucion financiar thjesht për hir të shpëtimit të tij", tha zoti Paulson.
Ai theksoi se aspekti i dytë i strategjisë ka të bëjë me zbutjen e problemeve në tregjet financiare në rastin e falimentimit të një banke dhe bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të planit të miratuar nga Kongresi.
Zoti Paulson tha se kriza financiare nuk do të përfundonte shpejt dhe se ende mbeteshin sfida të forta.
Reagim i FMN-së
Paralajmërime të ngjashme dha edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë, krye-ekonomisti i FMN-se, Oliver Blanchard, tha se është ende herët të flitet për recesion.
"Pozicioni ynë është se nuk është e dobishme që të përdorim termin recesion në një kohë kur ritmet mesatare të rritjes në botë janë 3%. Pavarësisht nga kjo, 3% është një shifër shumë e ulët e rritjes ekonomike botërore dhe në te kaluarën kjo mund të ketë qenë në kufijtë e recesionit global", tha zoti Blanchard.
Tregjet më të qëndrueshme
Një dite pasi ekonomitë më të mëdha botërore në mënyrë të koordinuar ulën përqindjet e interesit dhe miratuan paketa masive për të stabilizuar tregjet financiare, tregjet e Azise, të cilat hapen të parat, e filluan ditën me më pak luhatje.
Në bursën e Tokios vlera e aksioneve shënoi një rritje të vogël, pas humbjeve të mëdha që u regjistruan të mërkurën. (BBC)