E Diel, 1 Nëntor 2026

“Imuniteti për korrupsion nuk duhet të ekzistojë për asnjë person”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, vlerësoi të hënën se kufizimi i imunitetit është një nga arritjet më themelore të 16 viteve të fundit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha vuri në dukje se një nga arritjet më themelore të të gjithë këtyre 16 viteve, do të jetë vota e deputetëve shqiptarë për të rrëzuar murin e imunitetit, gjë që i bën nder shumë Parlamentit, çdo deputeti, çdo politikani. “Kjo shënon realisht një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi për transparencë, përgjegjshmëri ligjore, barazi para ligjit, jo vetëm të politikanëve, por të të gjithë imunitarëve”, - tha kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se imuniteti për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm nuk duhet të ekzistojë për asnjë person në Republikën e Shqipërisë i çfarëdo rangu, i çfarëdo pushteti qoftë. “Përmes heqjes së imunitetit, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse instalojmë një model që demokracia më e konsoliduar dhe më e madhe në botë e ka instaluar 200 vjet më parë në Kushtetutën e vet”, - vijoi Kryeministri, i cili garantoi se është i hapur për mendimet e opozitës, për mendimet e grupeve të interesit dhe institucioneve të tjera, të cilat kanë bërë punë serioze gjatë gjithë këtyre muajve në këtë drejtim”.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›