Miratohen procedurat e zgjedhjes së kancelarëve
Miratohen kompetencat dhe procedurat e përzgjedhjes së kancelarit të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje propozimin e ministrisë për kancelarin universitar. Rreth kompetencave të kancelarit është përfolur shumë këto kohët e fundit, ku rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në emër të Shoqatës së Rektorëve ka shprehur shpeshherë ankesat e tij kundrejt projektvendimeve të ministrisë. Një ndër këto ankesa ka qenë dhe mospërfshirja në grupet e hartimit të projektvendimeve, grupet e interesit, pra dekanët dhe pedagogët. Gjithashtu, Shoqata e Rektorëve ishte kundër pikave të projektvendimit ku i delegohen kancelarit të universitetit mbikëqyrja e të gjitha procedurave të marrjes në punë dhe drejtimit të procedurave e të marrjes në punë dhe të vlerësimit të performancës së punonjësve administrativë të institucionit, pra universitetit. Siç do ta shikojmë dhe më poshtë, duket se vërejtjet e kryetarit të Shoqatës së Rektorëve, Dhori Kule, kanë rënë në vesh të shurdhër. Bëhet me dije se dje Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të drejtat, detyrat, procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë. Ky vendim ka si qëllim që Institucionet publikë të Arsimit të Lartë të kenë një menaxhim dhe një transparencë më të lartë. Gjithashtu, sipas këtij vendimi, kancelari universitar bashkëpunon ngushtë me rektorin dhe me titullarin e institucionit, por gjithashtu kancelari ka dhe detyra ndaj ministrisë.
Detyrat
Me vendim të Këshillit të Ministrave bëhet me dije se kancelari i Institucionit publik të Arsimit të Lartë është autoritet në përbërje të Rektoratit të Institucionit publik të Arsimit të Lartë. Në përmbushje të funksionit të tij si përfaqësues i autoritetit shtetëror në institucion, kancelari drejton veprimtarinë e administratës së institucionit dhe realizon administrimin financiar të institucionit. Gjithashtu, kancelari universitar drejton planifikimin dhe realizimin e investimeve të universitetit. Ai mbikëqyr të gjitha procedurat e marrjes në punë dhe drejton procedurat e marrjes në punë dhe të vlerësimit të performancës së punonjësve administrativë të institucionit. Sipas këtij vendimi, kancelari me autorizim të rektorit, përfaqëson ose bashkëpërfaqëson institucionin në të gjitha proceset gjyqësore apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palët e treta, persona fizikë ose juridikë dhe kryeson sekretariatin teknik që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Administrimit, gjithashtu ai mbikëqyr zbatimin e ligjshmërisë në veprimtarinë e institucionit.