E Diel, 1 Nëntor 2026

Qesh-e-ngjeshjet e Vitit të Ri

05-01-2011 / Nga Eden Babani, Bruksel

- Endje mes së vërtetave dhe qyfyreve -

Në fazën e sotme të mondalizacionit, çka, sipas Silvi Brynel, nënkupton “integrimin planetar të dukurive ekonomike, financiare, ekologjike dhe kulturore”, janë vërejtur dukuri të reja edhe në fushën e gjuhësisë. Fjalorët janë pasuruar, tashmë, dhe po pasurohen dita-ditës me fjalë e trema të përbotshme. Këto ditë, televizioni i njohur frëngjishtfolës TV5, duke iu referuar burimit “ats”, sillte disa neologjizma të muajve të fundit, si edhe disa terma me prejardhje të andej-këtejshme, që kanë lindur dhe kanë fituar popullaritet, kryesisht gjatë viti 2010.
Për kureshtje të lexuesit, po rendis disa prej tyre, duke marrë leje të bëj edhe ndonjë koment-qyfyr që, sipas meje dhe traditës korçare, së cilës i përkas, u shkon përshtat festimeve të Vitit të Ri.
1. Neologjizma, lindur gjatë vitit që lamë pas krahësh:
Shatruletë (chatroulette). Rrjet televiziv pamor-dëgjimor që vë në marrëdhënie të rastësishme dhe të çastit navigatorët e internetit. Rrjeti lejon t’i dëftohesh ndokujt që dëshiron të të shohë - i tëri ose pjesë të veçanta të trupit - si edhe të shohësh të panjohur ose pjesë të veçanta të trupit të tyre, nëpërmjet webcam-it. Për t’ia arritur kësaj, do të mjaftonte një abonim i thjeshtë në internet dhe një kamera e vogël diku përballë teje, çka kompiuterat portabël (laptop) e kanë të instaluar qysh në fabrikim. Mbi këtë parim, kanë lindur rrjetet pornografike. Sa u njoha me këtë fjalë të re (neologjizëm), më shkoi mendja te një personazh konkret -  politikan i biri i botës - që frekuenton plazhet për nudistë. Politikanë të tillë qejflinj ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, falë rrjetit në fjalë, mund të hyjnë në lidhje me njëri-tjetrin fare lehtë, të shihen e të lëpihen sa të ngopen, pa rrezikuar që fotot e tyre t’u dërgohen gazetave nga njerëz që nuk duan të identifikohen.
Fonard (phonard) mbiquhet njeriu që përdor telefonin e vet të lëvizshëm (celularin), pa treguar respekt ndaj të tjerëve. Si i tillë Kryetari i Opozitës sonë ua kalon të gjithë fonard-ve shqiptarë të marrë së bashku: atyre të autobusëve, të kafeneve, të klinikave mjekësore, të mjediseve të qeta etj. Me ndërhyrjet dhe urdhrat pafund që jep nga Selia Rozë ose nga Bashkia e Tiranës, për bojkote e frenim ligjesh reformatore, emri i tij do të shënohet në Librin Gines, si fonard-i i paarritshëm në rekorde i Parlamentit të Shqipërisë
Kugar (cougar) quhet një femër mbi dyzetvjeçare që frekuentohet nga djem të rinj - luanë të vegjël (lionceaux). Femrat më të reja janë quajtur puma. (Kugar ose puma është një kafshë e egër, e ngjashme me Panterën Amerikane, EB). Pas zhdukjes nga qarkullimi i Panterave të Zeza, të etura për gjak shqiptari, të cilat dinin vetëm të kafshonin e të shqyenin njerëz të pafajshëm, dhe pas prirjeve me shumicë të nëntëdhjetë-e-nëntshave në radhët e PS, s’dihet ende sa kugar-e, sa puma dhe sa luanë të vegjël do figurojnë në listën e re të partisë plakë.
Ballkoning (balconing) është sporti që konsiston në hedhjen prej ballkoni, drejt e në një pishinë. Kjo lojë e rrezikshme amatorësh me ndjesi të forta, shpesh në gjendje dehjeje, ka shkaktuar vdekjen e disa të rinjve gjatë vitit që lamë sapo lamë. Thuhet se, me nismën e Kryetarit të Opozitës, një pishinë e tillë do të ngrihet diku pranë Vilës-Muze të Pezës. Ajo do të shërbejë për të ftohur kokat e ndezura në zjarret partizane të 16-shtatorëve që do të vijnë. Në mungesë të ballkoneve, si trampolinë hedhjeje do të shërbejnë dritaret e Vilës-Muze. Hyrja do të jetë gratis.
Byling (buling) janë emërtuar ngacmimet, shpifjet, sulmet, kërcënimet pa pushim e pa fund ndaj dikujt që vihet në shënjestër si viktimë. Shpesh herë, qëllon që viktima të bëhet xhelat i vetvetes, të përfundojë edhe në vetëvrasje. Individë që nuk duan të identifikohen, pohojnë se krerët e Opozitës së Bashkuar janë përpjekur me kohë ta trajtojnë byling-un si mjet politik të ligjshëm për të qëruar hesapet me kundërshtarët. Në këtë kontekst, u ndërmor pranverën e shkuar greva e urisë me bërxolla të pjekura, verë e raki rrushi, e cila nuk rezultoi aq frytdhënëse sa u mendua, ndonëse “atje nisi, atje pushoi”, poshtë dritares së Kryeministrit.
Lipdub janë inskenime humoristike gjatë të cilave personazhet këndojnë e vallëzojnë për të mburrur ndërmarrjen, mjeshtërinë ose partinë e tyre. Pas djegies së “kutive” dhe të materialeve zgjedhore, pritet një rënie e protestave për “hapje kutish”. Deputetë opozitarë që, gjithashtu, nuk duan të identifikohen, thonë se specialistët dhe këshilltarët juridikë të PS-së po përgatisin ligjin “Për Shpërndarjen e Hirit të Kutive”. Sipas këtij ligji hiri i “kutive” do të futet në qeska dhe do t’u varet në qafë si hajmali ithtarëve të tyre (të”kutive”). Pritet, njëherazi, që këtë vit të përdoret sa më shpesh neologjizmi “Ligji PSHK”, jetëgjatësia e të cilit mendohet të jetë e barabartë me atë të “kutive”. Ndërkohë, çdo deputet socialist po përgatit lipdub-in e vet, njëri më interesant se tjetri. Inskenimet do të luhen gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në sheshet e qyteteve, të komunave dhe të fshatrave të Shqipërisë, si risi që do të zëvendësojnë “protestat e kutive”.
2. Fjalë-terma që kanë fituar popullaritet gjatë vitit 2010.
Avatar, term që, sipas besimit hindu, shënon një ndër dhjetë mishërimet (incarnation) e Perëndisë Vishnu, përfshi peshkun, breshkën, derrin e egër, Budhën etj. Termi është popullarizuar mjaft, falë filmit me të njëjtin emër të regjisorit kanadez Xhejms Kameron (autor edhe i filmit “Titanik”). Më fitimprurësi në historinë botërore (2,7 miliardë dollarë), titulli i filmit (Avatar) simbolizon sot identitetin virtual (të mundshëm, në potencë, EB) të diçkaje a të dikujt. U këshillohet ta shohin filmin të gjithë ata që humbasin herë pas here identitetin e tyre politik, duke u endur nga e majta, në të djathtë e anasjelltas, në kërkim të një të riu. Më të interesuarit, le t’u drejtohen ndoca ish-deputetëve, tashmë mbetur jashtë Parlamentit dhe strehuar në çatinë e përbashkët me ermin Opozita e Bashkuar, të cilët kanë grumbulluar prej vitesh përvojën e duhur të transformimit.
Vuvuzela është emri afrikano-jugor i trumbetës plastike. Fitoi famë si term në Botërorin e Futbollit 2010. Siç ka qenë bërë e ditur nga shtypi i kohës, Afrika e Jugut porositi miliona vuvuzela në Kinë, që të përballonte kërkesat në rritje gjatë qershorit të kaluar. Thuhet se krerët e Opozitë së Bashkuar kanë dërguar në Pekin biznesmenë pranë vetes, në kërkim të vuvuzela-ve, që do të zëvendësonin bilbilat e dalëmode në Parlament. Duke qenë se vuvuzela-t japin përshtypjen e zhurmërimës se bletës së roitur, njëri ndër krerët opozitarë, më luftënxitësi, po studion mundësinë e roitjes me dhunë të bletëve shqiptare, që, me ndihmën e vuvuzela-ve të markës kineze, do t’i përzinin nga Parlamenti deputetët e pozitës, vendet e të cilëve do t’i zinin partitë opozitare që s’kanë deputetë, mes së cilëve edhe ndonjë ish-i përndjekur politik i kameleonizuar.
Eyjafjoell. Këtë emër të ngatërruar, tashmë shndërruar në term, e mban një vullkan në Islandë, i cili u bë i njohur në të gjithë botën pranverën e shkuar, falë shpërthimit që shkaktoi çrregullime të pazakonta në hapësirën ajrore të Europës. Opozita jonë, që pjesën më të madhe të jetës së saj opozitare ia ka kushtuar mos-heqjes së vizave për shqiptarët, ka hyrë në marrëdhënie me vullkanologë të njohur anekënd Planetit, fill pas heqjes së vizave dhjetorin e shkuar. Të gjithë së bashku, opozitarë e vullkanologë, po studiojnë mundësinë e shpërthimit të një vullkani artificial në malin e Dajtit, maja e të cilit mund të shërbejë, deri diku, si krater. Është e vetmja mundësi e mbetur gjallë për të penguar ngritjen dhe uljen e avionëve në Aeroportin Nënë Tereza.
Tea Party quhet lëvizja amerikane populiste dhe ultra-konservatore, bash anijeje i së cilës konsiderohet Sarah Palin. Për analogji dhe në mungesë të ultra-konservatorëve në Shqipëri, pritet që vendin e zbrazët të një lëvizjeje të tillë, ta mbushë si të mundë lëvizja ultra-komuniste e Hysni Miloshit, duke e hequr atë si bash të kalbur anijeje dhe duke e zëvendësuar me përfaqësues nga thesi i shpuar i bllokmenëve të rinj ose i nëntëdhjetë-e-nëntshave.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›