Ina Rama: Bashkëpunim qeveri-prokurori kundër korrupsionit
Dy vjet nga krijimi dhe nisjes së punës së njësisë së luftës kundër krimit ekomomik dhe korrupsionit, Task-Force, dje është zhvilluar një konferencë me qëllim “Nënshkrimin për Ngritjen e Njësive të Përbashkëta të Hetimit Rajonal, Programi i Pragut II, Shqipëri – Korporata Sfida e Mijëvjeçarit”. Në këtë 2-vjetor të njësisë Task-Force u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit nga gjashtë institucione shqiptare, konkretisht Prokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama, ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, ministri i Financave, z. Ridvan Bode, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Bahri Shaqiri, ai i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Robert Çeku dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, z. Adriatik Llalla. Gjithashtu, gjatë konferencës u bë publik edhe fakti që gjashtë filiale të njësisë Task-Force do të ngrihen në disa qytete të vendit si Vlorë, Korçë, Fier, Gjirokastër, Durrës dhe Shkodër, që do të asistohen gjatë punës së tyre nga programi OPDAT, i cili do të punojë me të gjitha agjencitë e përfaqësuara këtu, për të ndihmuar ngritjen dhe trajnimin e këtyre njësive dhe për të ofruar pajisjet që nevojiten që ata të kryejnë punën. Gjithashtu, në ditët në vijim pritet të vijnë dy prokurorë nga SHBA-ja, me qëllim asistimin e prokurorëve dhe hetuesve me trajnime të ndryshme për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori amerikan përgëzoi punën e pjesëtarëve të njësive të përbashkët Task-Force në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një model edhe për vendet e tjera të rajonit. “Task-Force është model i bashkëpunimit mes prokurorisë e policisë. Të gjithë jeni të përgëzuar për punën e madhe, bashkëpunimin e kurajën. Mali i Zi sapo ka krijuar një Task-Force duke përdorur modelin e Tiranës”, - tha Withers. Ambasadori amerikan theksoi se pavarësia e prokurorëve duhet të jetë prioritet për Shqipërinë dhe çdo ndërhyrje do të përbënte një hap fatkeq prapa për vendin. “Prokurorët në mënyrë të veçantë kanë pushtet të madh në ndërmarrjen e hetimeve dhe duhet të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta bërë këtë gjë. Ky pushtet megjithatë duhet të trajtohet me respektin që meriton. Prokurorët në Shqipëri kanë një detyrë të vështirë dhe kjo vjen edhe për faktin e madhësisë që ka vendi. Prokurorët duhen të jenë të lirë të ndjekin provat dhe të kenë kurajën të bëjnë një gjë të tillë. Shqipëria duhet të jetë e përkushtuar për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve, për të garantuar procesin demokrat të vendit. Çdo kërcënim ndaj kësaj pavarësie do të përbënte një hap të qartë fatkeq prapa. Nuk duhet të ketë asnjë presion politik mbi prokurorinë”, - theksoi Withers gjatë fjalës së tij. Përfaqësuesi i administratës amerikane në Tiranë shtoi se pavarësisht sukseseve, prokuroria ka ende punë për të bërë. Duke iu referuar shifrave të USAID-it, Withers tha se besimi i publikut për prokurorinë dhe luftën kundër korrupsionit është rritur, por duhet ende punë për të bërë. Struktura "Task Force" u krijua dy vjet më parë pranë Prokurorisë së Tiranës, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe pjesë përbërëse e saj janë specialistë të Ministrisë së Financës, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Në konferencën e djeshme morën pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ministri i Financave, Ridvan Bode, Kryeprokurorja Ina Rama, kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri, kreu i KLSH-së, Robert Çeku, kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla etj.
Bashkëpunimi
Me synimin për të rritur cilësinë e ndjekjes penale, për të rritur numrin e rasteve të ngritjes së akuzës dhe dërgimit në gjykatë të autorëve të veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit, për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë dhe bazuar në rezultatet e arritura nga Njësia e Përbashkët Hetimore, në fillim të vitit 2008, Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me qeverinë shqiptare aplikoi pranë Programit të Sfidës së Llogarisë së Mijëvjeçarit (faza dytë) për përfshirjen në këtë program të ngritjes së gjashtë Njësive të reja të Përbashkëta Hetimore pranë Prokurorive Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Projekti i paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas Kryeprokurores Ina Rama, u vlerësua pozitivisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe u miratua si një nga gjashtë komponentët e këtij programi. “Takimi i sotëm dhe nënshkrimi i memorandumit nga të gjithë palët e pranishme është një tregues konkret i fillimit të realizmit të kësaj pune”, - u shpreh znj. Rama, duke shtuar se “vullneti pozitiv i përbashkët i të gjitha institucioneve pjesëmarrëse në takim, puna konkrete që do bëjnë të gjitha Njësitë e Përbashkëta dhe mbështetja që kemi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara mendoj se janë tregues që do garantojnë sukses në përfundim”. Objekt hetimi dhe gjykimi i njësisë kanë qenë funksionarë të ndryshëm të administratës shtetërore, duke përfshirë zyrtarë të zgjedhur lokalë, punonjës të administratës të niveleve nga më i ulëti (specialist), deri tek më i larti (sekretar të përgjithshëm në ministri), funksionarë të lartë politikë (zv.ministra), punonjës të sektorit të shëndetësisë, arsimit etj.
Drejtuesit e Njësive Task-Force në rrethe
Alma Koka, drejtuese në Fier
Dorjan Tafili, drejtues në Vlorë
Arta Marku, drejtuese në Shkodër
Arben Pasha, drejtues në Gjirokastër
Elision Sadiku, drejtues në Korçë
Dritan Rreshka, drejtues në Durrës