E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli, kapen 2000 paketa cigare pa pullë

VLORË – Rreth 2000 paketa cigare pa pullë fiskale kanë rënë në rrjetën e një kontrolli policor. Seksioni i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Qarkun e Vlorës bllokoi të enjten, gjatë një kontrolli të kryer në tri pika tregtimi, 1940 paketa cigare pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Rezarta Leli, tha se “paketat e cigareve u bllokuan në lokalet në pronësi të shtetasve F. Lilaj, S. Vreka e M. Gorica, të cilat e ushtrojnë aktivitetin në lagje të ndryshme të qytetit”. Sipas burimeve, paketat e llojeve "Marlboro", "Gent", etj., u zbuluan gjatë një aksioni që u organizua mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Mësohet se tre shtetasit e kapur me cigare pa pullë fiskale, do të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “të tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›