Mediu: PR mbron interesat e ish-pronarëve
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi dje takimin e tij paraelektoral në Fushë-Arrëz. "Partia Republikane ka qenë dhe është përfaqësuese e ish-pronarëve, mbron dhe do të mbrojë përherë interesat e tyre", u shpreh Mediu. Kreu i republikanëve, bëri me dije se "qeveria duhet patjetër të mos kënaqet me atë që ka realizuar, por duhet të hapë shanse që çdo burrë e çdo grua të ketë një shans për të punuar. Dhe shanset për të zhvilluar Pukën e gjithë Shqipërinë janë të jashtëzakonshme. Prandaj është më se e domosdoshme që në këto vite të ardhshme, ne të vazhdojmë përpara". Mediu u shpreh i bindur se në zgjedhjet e 28 qershorit, shqiptarët do të votonin koalicionin e NATO-s, të reformave, të projekteve të mëdha "Unë ju garantoj se qeveria ka marrë të gjitha masat që këto zgjedhje të jenë sa më transparente dhe të lira, të një standardi të lartë. Kjo gjë do t‘i japë akoma më tej rrugë Shqipërisë për anëtarësim në BE", tha ai.