Punonjësit e përkohshëm, qeveria shton 138 vende pune
Qeveria shtoi numrin e punonjësve me kontratë në administratën publike. Për vitin 2009, Këshilli i Ministrave ka vendosur të punësojë me kontratë 138 persona të ndara në ministri të ndryshme dhe institucione shtetërore. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të Ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që numri i të punësuarve me kontratë për vitin 2009 të jetë 2568 persona, nga 2430 që ishin parashikuar në vendimin e muajit shkurt të këtij viti. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, bëhet 2568 dhe përfituesit do të jenë pranë Ministrisë së Financave, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë. Ngarkohet Ministria e Financave të miratojë detajimin e numrit të punonjësve, me profesione dhe afate kohore, brenda kritereve të vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore". Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren Zyrtare". Kontrata me shtetin do të zgjasë nga 4 deri në 12 muaj, për një orar pune nga 4 deri në 8 orë. Sa u takon afateve të kontratës, vihet re një rritje në krahasim me periudhat e mëparshme, kur nuk mund të punoje më shumë se dy muaj. Këta punonjës nuk do të përfshihen në procesin e konkursit për shkak se cilësohen si punonjës me kontratë pune. Sipas relacionit, punonjësit me kontrata të përkohshme, kontraktohen nga të gjitha institucionet buxhetore, me kusht që kohëzgjatja e nevojës për këtë kategori punonjësish të mos jetë më e madhe se 6 orë në ditë. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave dhe nuk ka efekte shtesë në buxhet, pasi punonjësit që do të merren me kontratë do të përballohen nga vetë fondet e 12 institucioneve, që kanë kërkuar shtesa në staf.