E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti letër NATO-s: Vendosni KFOR-in në veri

PRISHTINE-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, të martën, i dërgoi letër Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe Komandantit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneral Erhard Drews, në lidhje me ngjarjet më të fundit në Mitrovicë. Sipas Kurtit KFOR ka përgjegjësi për të parandaluar incidente të mëtejshme në këtë zonë të Kosovës.

“KFOR-i është akoma përgjegjës për ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës. Prandaj me anë të kësaj letre ju kërkoj që të merrni masa të menjëhershme për t’i vendosur forcat e KFOR-it për të parandaluar incidentet e mëtutjeshme që mund të ndodhin. Është jetike të veprohet tani, për të ofruar siguri për të gjithë, dhe për të bërë të mundur që Kosova të jetë një shtet i së drejtës”.

Në letër Kurti thekson incidentet e kohëve të fundit.
“Të shtunën mbrëma, në zonën e Tre Rrokaqiejve në veri të Mitrovicës, Selver Haradinaj (38 vjeç), u vra në një sulm terrorist me bombë në shtëpinë e tij, ku mbetën të plagosur edhe gruaja dhe katër fëmijët e tij.

Gjatë javëve të fundit, Serbia ka arrestuar arbitrarisht përfaqësues të sindikatës së pavarur të metalurgëve të Kosovës, ka ekstraduar një ish-ushtar të UÇK-së nga Zvicra, dhe javën e kaluar xhandarmëria serbe ka rrëmbyer dhe poshtëruar dy policë të Kosovës, brenda kufirit tonë”.

Sipas Kurtit, populli i Kosovës është shumë i shqetësuar nga përkeqësimi drastik i situatës së sigurisë. Në veri thotë ai, strukturat ilegale po bëjnë cmos që shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Ata janë pa mbrojtje institucionale dhe nën mëshirën e strukturave ilegale të Beogradit, të cilat vazhdojnë të përdorin forcën për të frikësuar shqiptarët që t’i braktisin shtëpitë e tyre. Shumica e tyre janë larguar që nga viti 1999, ndërkaq pas sulmit të fundit terrorist shumë nga ata që kanë mbetur janë duke menduar për ta bërë një gjë të tillë. Strategjia e strukturave ilegale të Serbisë e cila ka filluar që nga periudha e luftës, është për të ndryshuar përbërjen e popullsisë që jeton në veri të Mitrovicës, duke krijuar një realitet të ri në terren”.

Më tej Kurti vë në dukje se qeveria kosovare nuk po vepron në veri duke inkurajuar kështu spastrimin etnik.

Një ditë më parë për të njëjtat cështje, Kurti i dërgoi letër, Presidentes së Kosovës Atifete Hahjaga, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi.

(d.b/Koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›