E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesja rreh nxënësen te Liceu Artistik

Një nxënëse e klasës së tretë ka rënë pre e dhunës
së mësueses gjatë një konflikti në Liceun Artistik
në Tiranë. E mitura dyshohet se është rrahur nga
mësuesja Marina I., të cilën policia e ka dërguar për
ndjekje penale në prokurori. Burimet zyrtare nga
Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja
ka ndodhur në ditët e para të fillimit të shkollës për
këtë vit, ndërkohë që nëna e të miturës ka denoncuar
ditën e djeshme. Sipas informacioneve, rreth orës
13:00, Jorinda Bici është paraqitur në Komisariatin Nr.
1, duke denoncuar se mësuesja i kishte rrahur vajzën
9-vjeçare. Ajo ka shpjeguar për oficerin e policisë
gjyqësore se ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme.
Sipas denoncimit, vajza e saj, Joluela, ka shkuar e
tmerruar dhe i ka treguar se mësuesja e kishte rrahur.
29-vjeçarja ka sqaruar më tej se vajza e vogël kishte
qenë në shkollë si çdo ditë, te Liceu Artistik, që ndodhet
te Rruga e Elbasanit. Gjatë një ore mësimi, në
debat për çështje të shkollës, dyshohet se mësuesja
e ka goditur. Kaq ka mjaftuar dhe policia ka regjistruar
këtë kallëzim penal. Sipas policisë, kallëzimi është
dërguar në prokurori, ku është kërkuar procedim
penal në gjendje të lirë për mësuesen Marina I., 44
vjeçe, lindur e banuese në Tiranë. Në lidhje me marrjen
e deklarimit të saj, policia ka shpjeguar se ende
nuk është kryer një veprim i tillë dhe pritet të kryhet
këto ditë. Sipas policisë, ajo dyshohet për veprën
penale të "dëmtimeve të tjera me dashje". Ndërkohë,
nuk ka asnjë informacion nga burimet policore
nëse nëna e fëmijës që pretendon se është dhunuar,
përpara se të shkojë në polici ka "kërkuar llogari" në
drejtorinë e shkollës dhe ballafaqim me mësuesen e
akuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›