“Ina Rama, akuza me faktet e PS”
BLEDAR HOTI
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha akuzon publikisht Prokurorinë e Përgjithshme se po bëhet vegël e PS-së, në lidhje me hetimin për rrugën Durrës-Kukës. Ky ka qenë qëndrimi i ministrit Basha në lidhje me akuzat e lëshuara në adresë të tij nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, duke theksuar se prapa tyre qëndron kreu i PS-së, Edi Rama. "Pak pas fillimit të punimeve, Edi Rama nisi sulmin e egër ndaj këtij projekti të shekullit. I ndërgjegjshëm se përfundimi i rrugës Durrës-Kukës kompromenton rëndë të ardhmen e tij politike, ky pinjoll i denjë i Dushan Mugoshës dhe Koçi Xoxes mori stafetën nga ata që për 8 vjet penguan me çdo kusht ndërtimin e rrugës dhe mobilizoi mercenarët e tij për të nxirë dhe përbaltur këtë projekt gjigant. Me një sulm të pastër politik, mercenarët e Edi Ramës dhe ndokujt tjetër brenda prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato, tashmë me stemën e prokurorisë", deklaroi Basha. Ai theksoi se "ata që rrugën e bllokuan për tetë vjet, pasi e panë se rruga po ndërtohet dhe po bëhet realitet, u vërsulën me akuzat e fabrikuara në zyrën e Edi Ramës kundër rrugës". Çdo vendim ligjor që bëri të mundur nisjen e punimeve, sipas Bashës, është sanksionuar nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet plot pesë Vendime të Këshillit të Ministrave, të marra në një hark kohor disa mujor. Ish-Ministri i Transporteve do të akuzojë ashpër PS-në për mos ndërtimin e kësaj arterie shumë të rëndësishme. Ministri i Jashtëm më pas ka sqaruar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, por nuk do të shkojë vetë në prokurori. "Ju garantoj se do të zbatoj ligjin dhe nuk do t'i shmangem atij. Por, ky proces ndaj meje është një proces i qartë dhe i pastër politik. E rëndësishme është që ligji të respektohet nga të dyja palët. Por, shtrembërimi i këtij procesi dhe veprimi kundër ligjeve të vendit nga ana e organit të akuzës meriton vëmendjen jo vetëm të politikës, jo vetëm të mediave, por të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë", tha ish-ministri. Ministri i Jashtëm thekson se prokuroria kishte kohën e mjaftueshme për të hetuar, por nuk e ka kryer një gjë të tillë dhe të nevojshme për hetim. “Por, pas urdhrit të Gjykatës për mbyllje të hetimeve, prokuroria nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim tjetër të mëtejshëm", tha Basha.
Reagimi i Prokurorisë
Në lidhje me këto akuza, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Në deklaratën për median theksohet se "Prokuroria e Përgjithshme është e bindur se po ekzekuton funksionet e saj kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale, duke u mbështetur vetëm në ligj dhe rezultatet e hetimit". Sipas Kryeprokurores Ina Rama, institucioni që ajo drejton ka zbatuar vendimin e Gjykatës. Edhe pse ai vendim nuk lidhet personalisht me Ministrin e Jashtëm. Më tej theksohet se "veprimtaria hetimore e prokurorisë lidhet me marrjen e provave gjatë hetimit për të provuar fajësinë ose jo të personave të përfshirë në një proces penal. Ndërsa akti i njoftimit të akuzës, si rasti konkret me zotin Basha, është akt procedural, i cili është produkt i analizës që u bëhet të gjitha provave të vjela dhe të përfituara nga veprimet hetimore". "Për më tepër, vendimi i Gjykatës së Tiranës, që shfuqizon zgjatjen e afateve të hetimeve, është një vendim që nuk i shtrin efektet mbi z. Basha: 1) sepse ai vetë nuk kishte bërë ankim për zgjatjen e afateve të hetimit, ndërkohë që afati i hetimit lidhet me shënimin e emrit të personit në regjistrin e veprave penale, pra është individual dhe 2) sepse asnjë vendim me karakter penal i një gjykate të zakonshme, si është ajo e Shkallës së Parë Tiranë, nuk mund të shtrijë efektet mbi z. Lulzim Basha, pasi ai është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kompetencën për të vendosur për një procedim penal lidhur me të e ka vetëm Gjykata e Lartë", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeprokurores.
Kodheli: I pandehuri Basha të mos refuzojë Prokurorinë
Zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, reagoi menjëherë pas konferencës për shtyp të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili akuzoi Edi Ramën për presion ndaj Prokurorisë. Sipas Kodhelit, Basha me qëndrimin e tij po i bën një dëm të madh vendit dhe Kosovës. "Është dita për të kujtuar se Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit edhe një tjetër heqje imuniteti për Lulzim Bashën, pas asaj për vjedhje. I ka kërkuar heqjen e imunitetit për shpifje ndaj Edi Ramës, i cili e ka paditur në gjykatë Lulzim Bashën, duke i dhënë mundësinë të faktojë shpifjet e tij", tha Kodheli. Sipas saj, "kjo lule e spikatur e korrupsionit në oborrin qeveritar, është në vetvete fakti më jetësor i shprehjes "bërtet hajduti, kapeni hajdutin" dhe shëmbëlltyra më kuptimplotë e degjenerimit të qeverisë së duarve të pastra, në një çiflig punësh të pista. Ministri i pandehur i Punëve të Jashtme, i bën Shqipërisë dhe Kosovës sot një dëm të madh. Lulzim Bashës i themi të mos e ndotë më mjedisin publik me kundërakuza banale, por të çohet nga karrigia e ministrit dhe të ulet në karrigen e të pandehurit".
Basha një javë larg Shqipërisë
Në konferencën e tij për shtyp, dhënë në ambientet e Ministrisë së Jashtme, ministri Lulzim Basha ka bërë të ditur se nga dita e nesërme nuk do të ndodhet në Shqipëri, pasi pritet që të kryejë një tur vizitash në Evropë dhe në SHBA. "Në vijim të interesimit tuaj për prononcimin tim, përzgjodha pasditen e sotme për këtë komunikim, pasi gjatë gjithë javës së ardhshme do të ndodhem jashtë vendit, në funksion të disa takimeve të rëndësishme të kalendarit diplomatik", deklaroi Basha. Kjo ka qenë edhe arsyeja se pse diplomati ka dalë para medias për të sqaruar pozicionin e tij, në lidhje me hetimin e nisur nga organi i akuzës, si dhe me thirrjen së fundmi në prokurori.