Rama me veteranët,në ‘91 i quajti vrasës, dje i ftoi për drekë
Ishte brilant dje, në 29 Nëntor, Edi Rama në sjelljen me veteranët e Luftës Antifashiste. Pa përdorur data, emra personazhesh e personalitetesh, pa shkuar në shumë fakte, ai solli me mjeshtëri një histori duket të mirëmenduar për të tentuar sipas tij bashkimin... Historia thoshte se si ai vetë, në familjen e tij, kishte një të afërm nga gjyshja, të vrarë në luftë si partizan dhe një tjetër të afërm, këtë radhë nga babai, të pushkatuar nga regjimi pas Luftës. Një progres, apo një metamorfozë për t’u përshëndetur e kreut të Partisë Socialiste, të paktën për ata që e njohin, apo e kanë ndjekur nga afër. Pasi larguar pak në kohë, në gusht të vitit 1991, i njëjti Edi Rama, kësokohe pedagog i Arteve, shprehej me një gjuhë krejt tjetër ndaj Luftës Antifashiste dhe sidomos përftuesve prej saj, që më së shumti janë të njëjtët veteranë që ai pati përballë gjatë ditës së djeshme. Shkurt, ai e quante kastën e ardhur në pushtet si tradhtare të demokracisë e kombit, si terroriste e ekzekutore. Më keq akoma, Edi Rama, në tërësinë e bindjes së tij, të asaj bindjeje që ka pasqyruar në letër, i mëshon fort idesë së Ballit Kombëtar, se Lufta Antifashiste degjeneroi në Luftë Civile. Gjithçka që ka të bëjë me këtë bindje të hershme gjendet e shkruar në librin e përbashkët të Ramës me Ardian Klosin, me titull “Refleksione”, botuar në vitin 1992.
Idhtari i “Luftës Civile”
“Kundër ngushtimit të nocionit opozitë” (faqe 179-185), titullohet shkrimi i firmosur nga Edi Rama, përmes të cilit atakohet Lufta Antifashiste. Në tërësi shkrimi synon të argumentojë detyrimin që ka Partia Socialiste të mohojë, të denoncojë pa kompromis “veprimtarinë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit...”. Por përmes rreshtave lexohet qartazi edhe qëndrimi i dikurshëm i liderit aktual të PS-së ndaj Luftës Antifashiste. Ai e konsideron atë si një Luftë Civile, një ide që dihet se mbështetet fort nga Balli Kombëtar, apo më saktë nga kundërshtarët politikë të të njëjtëve veteranë, para të cilëve paraditen e djeshme kreu i PS-së shfaqi, apo ktheu një faqe krejt të ndryshme. “Pajtimi Kombëtar, për të cilin po flitet aq shumë, pikërisht aty duhet të fillojë, te Lufta Civile... Kushdo që do t’u shpëtojë hijeve të së kaluarës duhet ta mbështesë pa asnjë ngurrim këtë ide. Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile...”, shkruan Edi Rama në faqen 180 të librit. Më tej, akuzat shkojnë edhe te personazhe të caktuar. “Histeria e luftës për pushtet, që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë, që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë e nisur kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile. Pra, çështja e pushtetit është argumenti që zbulon edhe shkakun e tradhtisë që komunistët i bënë demokracisë dhe kombit shqiptar. Prandaj edhe nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur probleme kardinale si: Lufta Civile, terrori ndaj inteligjencës e ndaj klerit menjëherë pas luftës dhe në faza të mëvonshme, terrori ndaj rezistencës së organizuar antikomuniste deri në periudhën 1952-’53, qëndrimi ndaj emigracionit politik”.
Në vazhdim, në të njëjtin shkrim, Edi Rama e rëndon dozën e akuzave ndaj përfituesve nga Lufta duke i quajtur ata “inkuizitorë”, që u duhej treguar vendi, pasi janë duke bashkuar “zërin e tyre hipokrit me koret e përbotshme për demokraci”.
Pak më poshtë vjen përfundimi apo përmbledhja e mendimit: “E kaluara do të na mbajë të gozhduar në rrethin e saj vicioz, për sa kohë nuk kemi bërë katarsisin e vërtetë historik”.
Gjithçka në këtë shkrim mbyllet me një tjetër ultimatum, këtë radhë në adresë të Partisë Socialiste, e cila sipas Ramës s’ka të drejtë të jetë parti e ligjshme, “përsa kohë nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj”. Një frazë që krejt natyrshëm veteranët e djeshëm të Partisë Socialiste, të ftuar nga Edi Rama, nuk e njihnin, apo nuk e mbanin mend, qoftë për shkak të moshës. Përndryshe kreu i PS-së do të haste probleme që do të dëmtonin rëndë të paktën këtë metamorfozë të kushtëzuar të tij.