E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, sa do paguhet për pasaportat

 

Zbardhet udhëzimi i hartuar nga tre ministri, ku përcaktohet qartë shuma e parave që duhet të paguhet për marrjen e një pasaporte, apo për legalizimin e dokumenteve për emigrantët, etj. Gazeta boton të plotë tarifat për shërbimet konsullore. Sipas këtij udhëzimi, për lëshimin e pasaportave të udhëtimit nga përfaqësitë, shtetasit shqiptarë duhet të paguajnë 50 euro. Ndërsa për sa i përket legalizimit të dokumenteve, 30 euro kushton një certifikatë e çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të hartuar nga Ministria e Financave, e Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme, tarifat për shërbimet konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme apo ambasadave të Shqipërisë jashtë vendit vilen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera në varësi të tyre. Ndërsa tarifat për pajisjen me pasaportë për dalje jashtë shtetit vilen nga Ministria e Brendshme apo drejtoritë/degët në varësi të tyre. Shtetasit që pajisen me pasaportë për dalje jashtë shtetit, përveç pagimit të vlerës së pasaportës, do të paguajnë edhe tarifën prej 2 mijë lekësh për lëshimin e pasaportës së udhëtimit, si dhe 50 euro për lëshimin e pasaportave të udhëtimit nga përfaqësitë. Për shërbimet që kryhen nga përfaqësitë tona diplomatike në vende të tjera, niveli i tarifës përcaktohet në euro dhe pagimi i tyre mund të bëhet në euro, dollarë ose në monedhën e vendit ku kryhet shërbimi, konvertuar me kursin përkatës ditor të këmbimit. Tarifat e arkëtuara brenda vendit derdhen brenda ditës në llogarinë bankare të thesarit për llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme. Përfaqësitë tona diplomatike raportojnë çdo muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi tarifat e arkëtuara prej tyre. Ministria e Punëve të Jashtme transferon në fund të muajit në llogarinë bankare të të ardhurave të thesarit shumën totale të tarifave sipas raportimit të bërë nga përfaqësitë tona diplomatike. Çdo muaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Brendshme (apo institucionet në varësi të tyre) rakordojnë me degët respektive të thesarit. Sipas këtij udhëzimi, shuma e tarifave të arkëtuara i takojnë 100% buxhetit të shtetit. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Tarifat për shërbimet konsullore

I. Tarifat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit:
1. Për lëshimin e pasaportave të udhëtimit                                         2000 lekë;
2. Për lëshimin e pasaportave të udhëtimit nga përfaqësitë             50 euro;
3. Zgjatja e pasaportës nga përfaqësitë                                                       15 euro;
4. Për lejekalimi                                                                                                  200 lekë;
5. Lejekalimi lëshuar nga përfaqësitë                                           30 euro.

II. Tarifat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve:
1. Certifikatë të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë           30 euro;
2. Certifikatë të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit e huaj        reciprocitet;
3. Vërtetime të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë      30 euro;
4. Vërtetime të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit e huaj            reciprocitet;                                                                                                   
5. Verifikimi i dokumentit nga përfaqësitë                                                             10 euro;
6. Legalizimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë
nga Ministria e Punëve të Jashtme                         200 lekë;
7. Legalizimi i dokumentit nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë          20 euro;
8. Legalizimi i dokumentit për shtetasit e huaj                                      reciprocitet.

III. Tarifat për lëshimin dhe përpilimin e akteve të tjera noteriale
dhe përkthimin e dokumenteve nga përfaqësitë.
1. Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve
kontratave, garancive dhe prokurave të posaçme nga përfaqësitë     20 euro/faqe;  
2.  Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve                                                      20 euro/faqe;
3.  Përkthimi i dokumenteve                                                               10 euro/faqe.

Tarifa mund të arkëtohet edhe në dollarë ose në monedhën e vendit,
duke pasur parasysh kursin e këmbimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›