Meta: Vazhdon beteja për çlirimin e Shqipërisë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë homazheve të djeshme në Varrezat e Dëshmorëve, duke ngritur lart idealin e të rënëve në luftë për çlirimin e vendit, u shpreh se “edhe lufta jonë për votën e lirë është një përpjekje e vazhdueshme, për të mos lejuar Shqipërinë që të pushtohet edhe nga shqiptarë të papërgjegjshëm, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë dot, edhe pas 18 vjetësh demokraci, që çdo shqiptar duhet të jetë zot i vetes së tij”. Meta tha se “beteja për çlirimin e Shqipërisë vazhdon”! I pyetur rreth veprimit të Policisë Bashkiake që u mundua të bllokonte drejtuesit e LSI-së të kalonin në moketin ceremonial drejt monumentit “Nëna Shqipëri”, Meta shprehu keqardhje “që ceremonitë e 28 dhe 29 Nëntorit, sidomos të 29 Nëntorit, tregojnë një mungesë serioziteti të shtetit shqiptar, pasi kjo është një festë kombëtare dhe nuk ka një protokoll të unifikuar, gjë që është një turp për shtetin tonë”.