Itali, kapen 15 shqiptarë me 70 kilogramë heroinë
ITALI - Një rrjet ndërkombëtar trafikantësh shqiptarë të heroinës është shkatërruar dje nga policia e Milanos në Itali. "Operacioni policor i koduar 'Milot' ka vënë në pranga 15 persona, pothuajse të gjithë me kombësi shqiptare dhe ka sekuestruar 90 kilogramë heroinë", bënin të ditur mediat e vendit fqinj. Sipas policisë italiane, të arrestuarit i përkasin moshave që variojnë nga 22 deri në 42 vjeç. Mësohet se hetimet e trafikut, që kanë zgjatur rreth një vit kanë zbuluar trafikun që bëhej mes Bullgarisë, Rumanisë, Shqipërisë dhe Italisë. Sipas të dhënave, hetuesit e të vendit fqinj kanë surveijuar për gjithë këtë kohë rreth 30 persona, banorë të provincës së Milanos. Policia italiane nuk dha detaje për mënyrën se si të arrestuarit e trafikonin lëndën narkotike nga lindja për në vendin e Apenineve. Të arrestuarit e djeshëm, 6 prej të cilëve në flagrancë, bënin pjesë në grupe kriminale që vepronin kryesisht në Italinë Veriore. Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 90 kilogramë heroinë, 77 kilogramë përzierës, një pistoletë dhe dy automjete. Mbi të arrestuarit rëndon akuza e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal". ar.ba