E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta dhe Rama nderojnë veç

 

Aristir Lumezi

Festa e Çlirimit të vendit i gjeti të ndarë të majtën. Në mungesë të një protokolli, partitë e majta kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe në monumentin “Nëna Shqipëri” në orare të ndryshme. Gjithçka ishte përgatitur nga Bashkia e Tiranës, vendosjen e njerëzve, moketin jeshil ku do të kalonin përfaqësuesit e partive politike, por dhe veteranët, për të nderuar dëshmorët e kombit, duke zhvilluar në këtë mënyrë ceremonialin e forcave të majta që festojnë 29 Nëntorin si ditën e çlirimit të vendit. Në orën 10:30 të paradites, kreu i LSI-së bashkë me mbështetësit e tij, anëtarë, simpatizantë dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u drejtuan për nga monumenti “Nëna Shqipëri” për të bërë homazhet e rastit. Por në ngjitje të shkallëve që çonin për te monumenti, atje ku ishte shtruar dhe moketi jeshil ceremonial, disa policë të Bashkisë së Tiranës i kanë bllokuar rrugën politikanëve dhe veteranëve, duke krijuar kështu një precedent të pazakontë për një ceremoni jo zyrtare. Meta dhe politikanët e tjerë që e shoqëronin, pasi bënë homazhe para varreve të dëshmorëve të rënë, iu drejtuan më pas monumentit “Nëna Shqipëri” për të vendosur kurorat e rastit. Pasi është takuar me pjesëmarrësit në këtë ngjarje, Meta dhe politikanë të tjerë të LSI-së dhe të partive të tjera janë larguar nga Varrezat e Dëshmorëve për të bërë vizita në shtëpitë e të rënëve të luftës.
Dreka
Në orën 11:00, kreu socialist Edi Rama i shoqëruar nga drejtuesit e lartë të PS-së, por dhe të dy partive të tjera, Gjinushi dhe Milo, mbërritën në Varrezat e Dëshmorëve. Ishin të ftuar dhe figura të njohura socialiste, si shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi etj. Selia rozë u kishte dërguar ftesa figurave të njohura të politikës, veteranëve, por dhe përfaqësuesve të saj të shquar ndër vite, duke i ftuar pas homazheve dhe në një drekë ceremoniale me rastin e 29 Nëntorit, ditës së Çlirimit të vendit. Dreka e brezave, ku përveç veteranëve, në të morën pjesë të porsaardhurit në PS, por dhe ata që ishin protagonistë të qershorit të 1991, të krijimit të saj. Gjatë fjalës së tij, para drekës, Rama kërkoi një bashkim të ri të shqiptarëve. “Është koha që të gjithë së bashku t’i japim jetë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për një bashkim të ri, i cili duhet të ketë në themelet e veta këtë idealizëm dhe këtë patriotizëm, që nuk është deklamim, që nuk është slogan, që nuk është kapardisje e aq më pak, nuk është një arsye për kacafytje mes shqiptarësh e shqiptaresh, pavarësisht bindjeve, ideve dhe qëndrimeve të ndryshme, por që është arsyeja më madhore pse ne duhet të shohim te njëri-tjetri energji dhe fuqi të domosdoshme për ta pasuruar më shumë jetën tonë pluraliste”, tha Rama. Duke iu drejtuar veteranëve, Rama tha se “arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen. Në emër të së ardhmes, ne duhet t’i bashkojmë të gjitha energjitë tona, duke parë tek njëri-tjetri një arsye për të shpresuar, dhe jo një arsye për t’u dëshpëruar. Një arsye për t’u respektuar, dhe jo një arsye për t’i treguar njëri-tjetrit ato anë të papëlqyeshme të natyrës njerëzore, të cilat politika e vjetër shqiptare i ka nxjerrë në pah, në një skenë ku në vend që njerëzit të diskutojnë për të mirën e atyre që përfaqësojnë, rëndom kacafyten thjesht për karriera dhe privilegje personale”.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›