Meta: LSI-ja nuk bashkon votat me Berishën për Kodin Zgjedhor
Ilir Meta mohoi dje çdo mundësi për të votuar Kodin Zgjedhor me amendamentet e tij, duke bashkuar votat me Partinë Demokratike. Ai gjeti rastin të distancohet nga procedurat e turpshme që kanë nisur në mënyrë të beftë në Parlament për miratimin e ligjit "Për Prokurorinë". "Të gjithë ju e mbani mend kryetarin e Partisë Socialiste, një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, ku u shpreh qartë se reformat në drejtësi nuk do t‘i bëjmë më me Berishën, se Berisha nuk synon pavarësinë e drejtësisë, po se do t‘i bënte kur të vinte e majta në pushtet pas zgjedhjeve", u shpreh Meta. Me të drejtë, vijoi ai, të gjithë sot mund të pyesim se çfarë ka ndodhur që Partia Socialiste është bërë palë me Berishën në përpjekjen e tij finale, përmes këtij ligji për të kontrolluar dhe uzurpuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme?. "Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përgjigjja është e qartë: Projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit", theksoi Meta. Ish-kryeministri i bëri thirrje liderit të opozitës Rama se "në rast se ndjehesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI-në, në mënyrë që t‘i japë LSI-së përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve, që i takon për shkak të votës së shqiptarëve dhe jo për shkak të dëshirës së LSI-së, duhet të jesh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë". Kjo, vijoi ai, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithëpërfshirje dhe konsensus maksimal. "Ndaj, në rast se ky është i vetmi shantazh që Sali Berisha bën mbi ty, t‘i duhet të jesh i sigurt që votat e LSI-së nuk bashkohen me ato të Sali Berishës, që LSI-ja të marrë komisionerin të hënën, por as t‘i dhe partia jote nuk duhet t‘i jepni Prokurorinë e Përgjithshme Sali Berishës!", i bëri thirrje Meta kreut socialist. I dhatë Kushtetutën, shtoi ai, i keni dhënë gjithë ato institucione kushtetuese, tani po i jepni edhe Prokurorinë, e cila jo vetëm do ta ndihmojë atë për të fshehur dhe për të mbuluar të gjitha aferat dhe krimet e qeverisjes së tij, por njëkohësisht po e jepni që ta përdorë kundër jush, se kundër nesh nuk ka se çfarë bën Sali Berisha, as sot, as nesër dhe as në jetë të jetëve. "Në rast se pastaj, ka gjëra të tjera përveç Kodit që ju detyrojnë t‘i nënshtroheni Sali Berishës dhe të mos mbani premtimin që bëtë para popullit shqiptar dhe para elektoratit tuaj, një ditë pas miratimit të Kodit, se reformat në drejtësi nuk do t‘i bëni me Berishën, por do t‘i bëni pasi e majta të fitojë zgjedhjet në qershorin e ardhshëm, atëherë kjo është një çështje tjetër", u shpreh Meta.