E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Çështja “Durrës-Kukës”, etapë e mbyllur përfundimisht



Pas pushimit të dosjes për “Durrës-Kukës-Prishtinë” me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, flet për herë të parë edhe Kryeprokurorja Ina Rama. Interesimit të disa gazetarëve nëse do të ketë rihapje të hetimeve për këtë çështje apo dhe grumbullim të provave të reja për të rinisur hetimet për këtë dosje, ashtu sikundër është aluduar në disa media pas vendimit të gjykatës, Kryeprokurorja iu përgjigj prerë: “Ju duhet ta keni dëgjuar, që vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë”. Në këtë mënyrë, ajo u dha fund zërave hipotetikë në media të ndryshme, se për këtë çështje për të cilën ka një vendim të formës së prerë, do të përgatitej një tjetër dosje hetimore, duke e deklaruar këtë çështje si një etapë të mbyllur përfundimisht nga institucioni që drejton. Me deklaratën e saj, znj. Ina Rama pranoi tërheqjen përfundimtare nga kjo çështje, paaftësinë e punës së vartësve të saj, si dhe gabimet që janë bërë në përbaltjen e investimit më të madh në vend, atë të ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë. Reagimi i Kryeprokurores vjen pas vendimit të marrë disa javë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila i konsideroi absolutisht të pavlefshme disa veprime hetimore të kryera nga organi qendror i akuzës, duke vendosur pushimin e gjykimit. Në vendimin përfundimtar dhe të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, relatori Spiro Spiro argumentoi paaftësinë e prokurorëve në zbatimin e ligjit, si dhe shkeljet konstante ndaj deputetit Basha dhe drejtorit Toma, duke u shprehur se “aktivizimi i Gjykatës së Lartë nga prokurorët ishte formal”. Gjyqtari akuzoi prokurorët se kanë shkelur të drejtën kushtetuese të ministrit Basha për t’u njohur me akuzat që i janë drejtuar nga pala akuzuese. Sipas gjyqtarit Spiro Spiro, të gjitha veprimet hetimore të kryera nga prokurorët pas përfundimit të afatit ligjor, që ishte data 6 nëntor 2008, janë nul. Ndërkohë që, për këtë çështje, dështimet e prokurorisë kanë qenë të vazhdueshme, pasi çdo kërkese të parashtruar nga organi qendror i akuzës, gjyqtarët iu përgjigjën negativisht, duke pranuar kërkesat e palës mbrojtëse. Gjatë kërkesave të personave nën hetimin, gjykatat vendosën pozitivisht, duke urdhëruar ndërprerjen e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe duke konsideruar të pavlefshëm çdo akt hetimor pas këtij vendimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›