Operatori i katërt celular flet shqip
Operatori i katërt flet shqip. Kompania fituese e tenderit të operatorit të katërt celular vjen nga Kosova. Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar projektligjin për operatorin e katërt të telefonisë celulare. Operatori i katërt është fituar nga Posta e Telekomunikacionit të Kosovës dhe një bashkim investitorësh shqiptarë. Anëtari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ilir Bano, ka vlerësuar që këtë tender e ka fituar një kompani shqiptare. Madje, Bano ka deklaruar se persona të caktuar kanë qenë të interesuar të shtyjnë dhënien e kësaj licence, duke kërkuar edhe të ulin vlerën e operatorit të katërt. PTK ka ofruar 7 milionë euro për licencën e operatorit të katërt celular. Ilir Bano tha dje se truket e operatorëve të interesuar për të ulur vlerën e frekuencës nën 5 milionë euro, nuk mund të shërbejnë kundër interesit publik. “Ata nuk mund të ulin vlerën e shitjes nën 5 milionë euro, për të ndaluar procesin, për të ulur çmimin e shitjes së frekuencës dhe mbi të gjitha për ta shtyrë procesin për të paktën edhe 1.5 vjet të tjera me pasoja të ndjeshme për të qytetarët shqiptare se vonesat janë para, vonesat pengojnë liberalizmin mbajnë çmime të larta në treg me gjithë pasojat e tjera në treg. Hyrja e operatorit të katërt do të ndihmojë edhe në krijimin e tregut rajonal, të telefonisë së lëvizshme, duke sjellë përfitime të përbashkëta për konsumatorët shqiptarë dhe kosovarë”, - tha Bano. Anëtarët e opozitës në këtë komision nuk kanë marrë pjesë në miratimin e këtij projektligji. Hyrja në treg e operatorit të katërt celular pritet të ndikojë në uljen e tarifave. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Telekomunikacionit të Kosovës. “Do të ndikojë që qytetarët e shqiptarisë dhe Kosovës gjatë komunikimit mes vendit të kenë një kosto më të lirë dhe shërbime sa më cilësore”, - Gravonca. Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dhënien në përdorim të celularit të katërt në Shqipëri, një bashkim ofertuesish të përfaqësuar nga Posta Telekomunikacionit të Kosovës në përbërje të së cilës janë: “Union Grup”, “Inofosoft system”, “Albania Drink Distribution” si dhe “ACi Engineering” sh.p.k. Ministria e Telekomunikacionit deklaron se kompania PTK plotëson të gjitha kriteret e nevojshme dhe ka paraqitur tarifa të ulëta për tregun e telefonisë celulare në vend. Sipas MPPTT, konkurrenti tjetër në garë për frekuencat e celularit të katërt, “UniversPG”, ishte një kompani pa eksperiencë në këtë fushë.