E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, "fitorja" e parë me Bashën për Durrës-Kukës

Pas katër dështimeve të
njëpasnjëshme, më në
fund, Prokuroria e Përgjithshme
shikon një dritë
jeshile për procesin gjyqësor të
dosjes Durrës-Kukës. Megjithëse
nuk është një vendim përfundimtar,
dy gjykatësit e Gjykatës
së Apelit, Dalip Bushi dhe Tom
Ndreca, janë shprehur se kompetencë
për gjykimin e Lulzim
Bashës, person i marrë i pandehur
nga prokuroria për abuzimet
e dyshuara gjatë ndërtimit të
rrugës Rrëshen-Kalimash, ka
Gjykata e Lartë dhe jo Gjykata e
Apelit. Në fakt, gjyqtarja Fatmira
Hajdari vendosi se kompetencë
për gjykimin e Bashës ka Shkalla
e Parë, pasi njoftimi i akuzës dhe
marrja në pyetje është thjesht
akt procedural. Ndërkaq, dy
gjyqtarët e Gjykatës së Apelit,
Ndreca dhe Bushi, janë shprehur
se deputeti i akuzuar, mund të
gjykohet vetëm nga Gjykata e
Lartë. Ata janë shprehur disa javë
më parë, kur prokuroria apeloi
vendimin e gjyqtarit Sokol Tona
për shtetasit Andi Toma dhe Armand
Teliti. Dy gjyqtarët, gjatë
këtij procesi, do të deklaronin se
nuk mund të hetojnë një deputet.
Seanca e djeshme
Dje, ka dështuar seanca gjyqësore
në Gjykatën e Apelit, ku pritej
të vendosej mbi ligjshmërinë
e akuzës së ngritur ndaj ishministrit
të Transporteve Lulzim
Basha, për rrugën Rrëshen-Kalimash.
Shkak i dështimit janë
bërë dorëheqjet e dy anëtarëve
të trupit gjykues, Dalip Bushi
dhe Tom Ndreca. Mësohet se të
dy gjyqtarët deklaruan se ishin
shprehur më parë në një proces
ndaj Andi Tomës dhe Armand
Telit, që akuzoheshin se kishin
kryer vepër penale në bashkëpunim
me Lulzim Bashën dhe për të
mos paragjykuar vendimin, kanë
dhënë dorëheqjen. Ata u shprehën
se gjykimi i ministrit tani
është kompetencë e Gjykatës së
Lartë. Ndërsa kryesuesi i trupit,
Pajtim Hoxha, ka caktuar seancën
e radhës më datën 2 shkurt
të këtij viti. Ndërkaq pritet që
në fund të muajit janar, të hapet
procesi gjyqësor në Gjykatën
e Lartë për Bashën dhe Andi
Tomën, në lidhje me abuzimet e
pretenduara nga prokuroria gjatë
ndërtimit të segmentit rrugor
Rrëshen-Kalimash. Në seancën
e parë gjyqësore pritet që Kolegji
Penal të vendosë nëse çështjet
e tjera gjyqësore, që kanë lidhje
me këtë dosje, do të kalojnë të
gjitha për verifikim në Gjykatën
e Lartë. Ministri aktual i Jashtëm
akuzohet për shpërdorim detyre
dhe shkelje të barazisë në
tenderët për ndërtimin e rrugës
Rrëshen-Kalimash, gjatë kohës
kur ishte ministër i Transporteve.
Ai ndodhet nën akuzë së bashku
me Andi Tomën, ish-drejtor juridik.
Ndërsa dy zyrtarët e tjerë,
Teliti dhe Saraçi, nuk janë më të
pandehur, për shkak të mungesës
së provave.
Proceset e Durrës-Kukës
Aktet procedurale të prokurorisë,
gjatë veprimeve hetimore të
dosjes Durrës-Kukës, janë vënë
në dyshim nga mbrojtja e të
pandehurve. Në fillim, dy të pandehurit,
Andi Toma dhe Armand
Teliti, kundërshtuan prokurorinë
për zgjatjen njëmujore të hetimit
të dosjes. Gjyqtari Sokol Tona
i dha të drejtë mbrojtjes, duke
urdhëruar mbylljen e hetimeve
brenda datës 6 dhjetor 2008.
Kjo ishte "shuplaka" e parë e
gjykatës për prokurorinë. Disa
ditë më vonë, prokuroria mori
të pandehur ish-ministrin e
Transporteve, Lulzim Basha.
Akti procedural u kundërshtua
nga avokatët me pretendimin se
Basha është marrë i pandehur në
një kohë që gjykata ka urdhëruar
mbylljen e hetimit një muaj më
parë. Argumenti është paraqitur
në gjykatë. Shorti elektronik në
Gjykatën e Shkallës së Parë të
Tiranës përcaktoi se gjyqtarja
që do të gjykonte këtë kërkesë
ishte Fatmira Hajdari, e veja e
ish-deputetit të vrarë në vitin
1998, Azem Hajdari. Në fillim
të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria
kërkoi që kjo çështje të
gjykohet në Gjykatën e Lartë.
Pas verifikimit të bazës ligjore të
kërkesës, gjyqtarja Hajdari hodhi
poshtë pretendimin e akuzës.
Kjo ishte goditja e dytë e prokurorisë.
Menjëherë pas rrëzimit
të kërkesës, prokuroria kërkoi
largimin e gjyqtares Hajdari. Në
letër, parashtroi kërkesat dhe i
depozitoi në Gjykatën e Tiranës,
e cila vendosi që të rrëzojë për
të tretën herë prokurorinë, duke
vendosur që gjyqtarja ka vepruar
sipas ligjit. Në seancën e radhës,
Hajdari vendosi se Lulzim Basha
nuk duhej marrë i pandehur.
Vendimi ishte goditja e katërt për
prokurorinë, e cila po luftonte
me procedura dhe jo me prova
për vërtetimin e fajësisë ndaj dy
të pandehurve të dosjes Durrës-
Kukës. Por më në fund, dje, togat
e zeza të Apelit deklaruan nën zë
se kompetencë e gjykimit të Lulzim
Bashës është Gjykata e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›