E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sofja të liberalizojë vizat

"Shqipëria dhe Bullgaria duket të punojnë për të liberalizuar regjimin e vizave me qëllim shtimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve". Kjo ka qenë kërkesa që Presidenti Topi i ka bërë kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane të Kuvendit të Bullgarisë, Mladen Çerveniakov, gjatë takimit të djeshëm. Nga zyra e shtypit të Presidencës bëhet e ditur se biseda mes dy personaliteteve është përqendruar kryesisht në bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe më gjerë, për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë në shërbim të interesave të ndërsjellë, si dhe në kuadër të përmbushjes së aspiratës euroatlantike të Shqipërisë. Topi ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për vendin tonë të shprehur edhe me ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO, duke shpresuar dhe në ndihmesën e saj në procesin e paraqitjes së kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Gjatë bisedës Topi dhe Çerveniakov janë ndalur në disa prej projekteve konkrete, që mundësojnë rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona dhe sidomos të atij në fushën e ekonomisë, energjetikës. Është vlerësuar rëndësia e realizimit të projekteve domethënëse si Korridori 8-të, çfarë do t‘i jepte një përparësi të veçantë zhvillimit më të shpejtë të vendeve të rajonit në përgjithësi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›