Ina Rama në Durrës: Hetoni krimin ekonomiko-financiar
Kryeprokurorja Ina Rama ka qenë e pranishme në analizën e veprimtarisë së institucionit të akuzës durrsake gjatë vitit 2008. Rama kërkoi që gjatë analizës, përveç arritjeve, të evidentoheshin edhe problematikat me të cilat është përballur ky organ gjatë vitit të kaluar, me qëllim diskutimin dhe zgjidhjen e tyre. Rama ka folur shkurt dhe më pas është kërkuar që mbledhja të zhvillohet pa praninë e medias. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është një nga më të rëndësishmet në vend për shkak të pozicionit gjeografik dhe ekonomik të territorit që mbulon, ku ngërthehen interesa të mëdha dhe të ndryshme. Në këtë kontekst rëndësi u është dhënë çështjeve që lidhen me krimin financiar si një përparësi, pa anashkaluar të tjera çështje të rëndësishme, si trafiqet e paligjshme përmes portit më të madh shqiptar etj. Përveç krimit të organizuar, rëndësi është deklaruar se duhet t‘i kushtohet edhe krimit të rrugës, që sipas statistikave ka njohur rritje këto kohët e fundit. Burime nga prokuroria bënë të ditur se gjatë mbledhjes janë trajtuar dhe probleme të veçanta që kanë dalë gjatë hetimit të çështjeve në marrëdhënie me policinë e Durrësit, po dhe me Gjykatën, e cila në disa raste ka zbutur dënimet e kërkuara ndaj të pandehurve, autorë të veprave të rënda penale. Zëvendësprokurorja e Rrethit, Eleni Bakëllbashi, referoi raportin vjetor të veprimtarisë së organit të akuzës përgjatë vitit 2008, pa praninë e mediave. Me gjithë insistimin e një pjese të tyre për të qenë të pranishëm në leximin e raportit, mbledhja ka vijuar me dyer të mbyllura. Në një njoftim për shtyp, prokuroria bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë kryer hetime paraprake për 2373 procedime penale, ose 600 më shumë se ato që janë regjistruar në vitin 2007. Përgjatë tij, akuza e Durrësit ka dërguar për gjykim 539 procedime me 730 të pandehur dhe një e treta e tyre kanë qenë me masën e sigurisë arrest me burg. Ndërkaq, dënimet më të rënda janë kërkuar nga prokurorët për vrasje, trafik të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni. Për veprat penale të vrasjeve janë kërkuar nga gjykata 235 vite heqje lirie për 16 të pandehur. Për 23 të pandehur për shfrytëzim prostitucioni janë kërkuar 54 vite heqje lirie dhe 128 vite të tjera për 23 të pandehur të akuzuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Viti i shkuar është konsideruar si një vit në të cilin krimi ka njohur rritje, veçanërisht në vjedhje.