E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në shtëpi, vdes foshnja një vjeçe

Një foshnjë 1 vjeç e gjysmë është djegur, si pasojë e zjarrit që ka rënë në një shtëpi të fshatit Lekdush të Tepelenës. Ndërkohë, e motra e tij, 5 vjeçe, ka mundur të shpëtojë dhe ndodhet në spitalin e qytetit të Tepelenës. Mësohet se vogëlushja ka marrë plagë të rënda, sidomos në fytyrë, por bluzat e bardha të spitalit të qytetit shprehen se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo është në terapi intensive dhe mjekët po kujdesen që ta rimarrë veten. Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, por mendohet se shkak është bërë soba me dru që ndodhej në shtëpi.

Zjarri ka rënë në mëngjes, rreth orës 07:30, dhe fillimisht ka kapur tavanin e më pas ka përpirë gjithë muret e shtëpisë. Mësohet se në momentin që ka rënë zjarri, fëmijët kanë qenë vetëm në shtëpi. Prindërit, Aleks dhe Merushe Bego, kishin dalë herët në mëngjes. Pasi kishin ndezur sobën për të mbajtur ngrohtë fëmijët, ata kanë dalë për të kullotur bagëtinë në një zonë afër fshatit. Mesa duket, një shkëndijë zjarri ka bërë që shtëpia të marrë flakë dhe tymi dhe flaka të përpijnë shtëpinë. Vajza ka mundur që të dalë jashtë nga dritarja, megjithëse e djegur në një pjesë të konsiderueshme të trupit, ndërkohë që i vëllai, Alushi, vetëm 1 vjeç e gjysmë, nuk ka mundur të zvarritet jashtë. Ka qenë Kleanth Toto, një bashkëfshatar i familjes Bego, i cili ka pikasur tymin dhe pasi ka hyrë në shtëpi, ka pikasur dhe nxjerrë jashtë trupin e shkrumbuar të vogëlushit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›