E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos ish-gruan dhe vret veten

Dhunon ish-gruan dhe më pas i jep fund jetës duke pirë fostoksinë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Sheq i Madh", në hyrje të Fierit, pak pas mesditës së djeshme. Burime nga policia bëjnë të ditur se Aristotel Gjoni ka goditur me levë ish-bashkëshorten, Valentinën, dhe më pas ka vrarë veten. Fillimisht ka tentuar të vetëflijohet duke hequr siguresën e një bombe që mbante në shtëpi, por mesa duket kushtet teknike të saj e kanë detyruar burrin t‘i drejtohej fostoksinës për t‘u vetëflijuar.

Ngjarja

Ka qenë ora 12:30 kur Aristotel Gjoni, pas një grindjeje të momentit, ka goditur me levë mbi Valentinën, me të cilën, pavarësisht se kishte 12 vjet që ishte divorcuar, ndante të njëjtën banesë. 37-vjeçarja e mbuluar nga gjaku ka mundur të shpëtojë nga duart e agresorit dhe ka kërkuar ndihmë te një mikesha e saj, e cila kishte një dyqan afër shtëpisë së Gjonajve. Gruaja është dërguar menjëherë për në spitalin e qytetit, ndërkohë që është sinjalizuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Por kur efektivët e komisariatit të qytetit kanë mbërritur, kanë gjetur 45-vjeçarin të plandosur, duke dhënë shpirt. Burri është çuar me urgjencë për në spital, por ka qenë tepër vonë për të. Pak minuta pas mbërritjes atje, ai ka vdekur. Ndërkohë, gjendja e gruas është mjaft kritike, për shkak të hematomave të rënda që ka marrë në kokë.

Gruaja punonte si sanitare në spital, ndërkohë që paradite shiste me një tavolinë të vogël në hyrje të shkollës 9-vjeçare të Sheqit të Madh.

Historia e çiftit

Valentina Gjoni, 37 vjeçe, ishte martuar 17 vjet më parë me mblesëri me Aristotel Gjonin. Martesa e tyre nuk qe e lumtur dhe pas lindjes së djalit, i cili tashmë është 16 vjeç, çifti divorcohet. Gjykata vendos që djali të jetojë me nënën, Valentinën, dhe streha e tyre të ishte e përbashkët me ish-burrin, Aristotelin. Edhe pse të ndarë ligjërisht, çifti Gjoni jetonte nën të njëjtën çati, por në dhoma të ndryshme. Aristoteli jetonte me nënën e tij, e cila ka vdekur 40 ditë më parë. Pas vdekjes së nënës, ai ka tentuar të bashkohet me familjen e tij të ndarë pothuaj prej 14 vjetësh. Më 14 shkurt të këtij viti, Aristoteli i ka shprehur ish-gruas dëshirën e ribashkimit, ndërkohë që kjo dëshirë është përsëritur disa ditë më parë, por nuk u realizua pas ngjarjes tragjike. Një ditë më parë mësohet se Aristoteli, në gjendje të dehur, i ka shkuar Valentinës pranë shkollës ku ajo tregtonte me një tavolinë dhe me fjalë acaruese dhe fyese i ka kërkuar sërish ribashkim. Duket se refuzimi i gruas e ka acaruar 45- vjeçarin, i çili ka pritur që ajo të kthehej në shtëpi për t‘u hakmarrë dhe në pak minuta gjithçka ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Banesa e përbashkët e çiftit është një shtëpi njëkatëshe, që gjatë mesditës së enjte ka qenë e rrethuar nga policë dhe shumë të afërm.

Rasti

Gusht 2008, histori

identike në Lezhë

Një burrë ka varur veten, pasi kishte plagosur lehtë gruan e tij me një mjet prerës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar, në një shtëpi përdhese, në periferi të qytetit të Laçit. Alfred Doçi 49 vjeç, u vetëvar në një pemë prapa shtëpisë së tij në Laç. Trupi i 49-vjeçarit Doçi u gjet i pajetë nga babai i tij, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Pas dëshmive të para u mësua se vetëvarja ka ndodhur pas një sherri mes Alfred Doçit dhe bashkëshortes së tij, Drane, e cila ishte plagosur me një brisk. Bashkëshortët Doçi kanë qenë duke pirë kafe në oborrin e shtëpisë, kur kanë nisur të grinden me fjalë për çështje të ekonomisë familjare. Burri ka humbur kontrollin dhe ka nxjerrë nga xhepi armën e ftohtë, me të cilën e ka prerë disa herë gruan, duke i shkaktuar hemorragji, por pa i rrezikuar jetën. Për të shuar sherrin kanë ndërhyrë nëna dhe babai i Alfred Doçit, si dhe tre fëmijët e vegjël të çiftit. Sapo kanë mundur të shpëtojnë Dranen nga duart e bashkëshortit, vjehrra dhe fëmijët kanë nxituar ta çojnë atë në spital. Pas kësaj, burri agresor ka mbetur në shtëpi vetëm me babanë e moshuar. Ai ka dalë prapa shtëpisë, pa rënë në sy, dhe aty, me anë të një litari është varur në një nga pemët e kopshtit. Vetëm kur ka kaluar pak kohë dhe nuk po e shihte të birin, plaku ka nisur kontrollin dhe e ka gjetur atë të varur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›