Stomatologët, mungon kujdesi për mirëmbajtjen e dhëmbëve
Kujdesi i popullatës për mirëmbajtjen e dhëmbëve është në nivele të ulëta. Mungesa jatrogjene (mungesa e mirëmbajtjes së dhëmbëve dhe heqja e tyre) vazhdon të mbetet fenomen shqetësues i stomatologjisë bashkëkohore, për pasojat negative fizike dhe psikologjike që mbart. Specialistët bëjnë të ditur se kjo vihet re sidomos tek adoleshentët, në grupmoshat 13-18 vjeç. Specialistët e shëndetit dentar të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, pas një studimi të kryer në 2 shkolla të Tiranës mbi këtë fenomen, rekomandojnë për këtë mjekimin e përhershëm të të gjitha patologjive të dhëmbëve. Të dhënat e studimit tregojnë se mungesa jatrogjene në popullatën tonë rezulton të jetë 26.4 për qind; 30 për qind tek vajzat dhe 21 për qind tek djemtë. Sipas studimit, në grupmoshën e adoleshencës kjo mungesë nuk varet nga parametra të tillë si gjinia dhe mosha. Shkaqe madhore të heqjes së dhëmbëve tek adoleshentët vazhdojnë të jenë ndërlikimet e procesit karioz, që arrijnë në 91.8 për qind. Rol të rëndësishëm në mungesën jatrogjene të dhëmbëve luan frika dentare, në 13.4 për qind të popullatës dhe në mënyrë të veçantë qëndrimi i mjekut stomatolog. Studimi vëren se në popullatën tonë vetëm në 29.1 për qind të rasteve kemi këmbënguljen e mjekut për trajtim konservativ të dhëmbit. Të dhënat e këtij studimi u mblodhën nëpërmjet ekzaminimit objektiv intraoral, intervistave, si dhe anketimit, për të mbledhur të dhëna mbi nivelin social ekonomik të kampionit dhe lëvizjen e tij demografike.
Abuzimet me rrezet gjatë kryerjes së vizitave
Shpeshherë mjekët i “detyrojnë” pacientët të kryejnë vizita pa qenë nevoja. Bëhet fjalë për vizitat që kryhen nëpërmjet aparaturave që kanë rrezatime, siç janë EKO-t, Mamografia etj. Strukturat shëndetësore kanë vendosur marrjen e disa masave, ku abuzuesit penalizohen me gjobë. Tashmë është rritur gjoba për të gjithë abuzuesit me rrezatimin jonizues nëpërmjet aparaturave të parregullta nëpër spitalet e vendit. Ligji i ri i Ministrisë së Shëndetësisë “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues” parashikon që të gjithë shkelësit e ligjit do të penalizohen me gjobë deri në 300 mijë lekë, deri në heqje të licencës së ushtrimit të punës. Specialistët shprehen se rrezatimi jonizues është shumë i dëmshëm për pacientët, kur përdoret në masë të tepruar dhe për të kontrolluar situatën masat duhet të jenë më të rrepta. Sipas tyre, në momentin e evidentimit të dëmit që bëhet tek pacientët, merren masa ndaj mjekut që ka kryer vizitën. Njëkohësisht gjoba prej 300 mijë lekësh vendoset në mënyrë paralajmërimi ndaj këtij subjekti, por në këtë moment mjekut i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin, nëpërmjet heqjes së licencës. Ky ligj përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese, për të mbrojtur punonjësit e ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve, popullatën dhe mjedisin në tërësi nga rreziqet e mundshme të rrezatimeve. Nga marrja e rrezatimit të tepërt mund të dëmtohet gjaku, organet prodhuese apo mund të ndodhin ndryshime të indeve të trupit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka mbështetur luftën ndaj këtyre abuzimeve. Brenda strukturës së shëndetësisë janë rreth 11 inspektorë që kryejnë evidentimet në terren për shmangien e abuzimeve, duke ushtruar kontrolle në të gjitha spitalet dhe qendrat spitalore, private apo shtetërore. Inspektimet kryhen çdo 6 muaj dhe raportohen pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Aparaturat e përdoruara para disa vitesh në të gjitha spitalet lëshonin rrezatim lartë normave të lejuara, ndërsa sot ato janë zëvendësuar. Problemi qëndron në faktin e çakordimit të aparaturës, e cila duhet të kontrollohet në mënyrë të herëpashershme në të kundërt shkakton probleme tek pacienti.
17 Janar 2009