E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, "zhduket" në Holandë Avdyl Loshaj



TIRANE - Letërporosia për pyetjen e dëshmitarit Avdyl Loshaj në Holandë, e dërguar për të dytën herë, për llogari gjykimit të dosjes "Remzi Hoxha" tek Krimet e Rënda, ka hasur sërish në "ngërç". Ndërsa herën e parë letërporositë humbën në Ministrinë e Jashtme të Holandës, këtë radhë autoritetet holandeze nuk kanë mundur të gjejnë dëshmitarin Avdyl Loshaj. Lajmi u bë i ditur në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-punonjësve të shërbimit sekret të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha dhe rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt në vitin 1995. Seanca e djeshme nuk u zhvillua normalisht, pasi nuk ishin prezentë avokatët mbrojtës të të pandehurit Ilir Kumbaro. Ndërkohë gjykata relatoi përpara palëve një shkresë të dërguar nga autoritetet holandeze dhe një shkresë bashkëshoqëruese të Ministrisë së Drejtësisë të vendit tonë. U bë e ditur se në shkresën e ministrisë pohohej se: "Letërporosisë për pyetjen e dëshmitarit Avdyl Loshaj nuk i është dhënë rrugë për ekzekutimin e saj, pasi nuk është gjetur dëshmitari". Ndërkohë që shkresa e dërguar nga autoritetet holandeze do të përkthehet në seancën e ardhme gjyqësore të këtij procesi. Avdyl Loshaj konsiderohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda si dëshmitar kyç në këtë proces gjyqësor. Më parë Loshaj ka pranuar pyetjen si dëshmitar vetëm nga Holanda, pasi në Shqipëri, sipas tij, i rrezikohet jeta. Gjykata është në pritje të përgjigjeve të letërporosive nga Italia, për pyetjen e dëshmitareve Eduart çoku dhe Riza Shehu. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›