Ina Rama, raportim në Kuvend para deputetëve të të dyja palëve
Kryeprokurorja Ina Rama do përgjigjet për punën e institucionit që drejton para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ditën e martë. Prokuroria ka dorëzuar raportin e saj vjetor në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit, ndërsa kryeprokurorja pritet që të pyetet nga deputetët e komisionit. Ditën e martë të pranishëm në komision do të jenë edhe deputetët e opozitës. Mësohet se Komisioni i Ligjeve dhe deputetët e djathtë do të hartojë një rezolutë, për punën e Prokurorisë ku pritet të theksojnë edhe mangësitë e punës, sipas tyre. Rezoluta do të kërkojë mendimin e të gjithë deputetëve, edhe të opozitës. Pritet që deputetët e komisionit të pyesin gjerësisht kryeprokuroren për luftën ndaj krimit në vitin e kaluar. Pritet që kryeprokurorja të pyetet për marrëdhëniet me institucionet e tjera, inspektimet në institucionin e saj, akuzat lëshuar Prokurorisë për mungesë efektiviteti në luftën kundër korrupsionit etj. Në raportin dërguar në Kuvend thuhet se gjatë vitit 2009, Prokuroria ka hetuar 89 persona të pandehur për korrupsion. Raporti i Prokurorisë vlerëson se krahasuar me vitin 2008, në vitin 2009 pati shtatë zyrtarë më shumë të cilët u morën të pandehur për akuzën e korrupsionit. Vetë kryeprokurorja ka theksuar se Prokuroria ka pasur vështirësi për të hetuar çështjet e korrupsionit për shkak edhe të pushtetit që gëzojnë zyrtarët e lartë të implikuar. Në raportin "për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2009", dorëzuar zyrtarisht në Parlament, kryeprokurorja shprehet se është e nevojshme të bëhen amendime ligjore për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve në mënyrë që Prokuroria të zhvillojë hetime efektive kundër zyrtarëve për akuzat e korrupsionit.