E Diel, 1 Nëntor 2026

Nusja e djalit të Enver Hoxhës: Marrëdhëniet mes tre çifteve në vilën e madhe në Bllok

Suplementi Une GRUAJA

Ani Jaupaj

Disa data, nuk kanë pse të shënohen për t'u kujtuar. Qofshin ato që nga fëmijëria e hershme. Një pjesë, mund të jetë e rrëfyer nga të tretë, megjithatë, kur i bën tok, rezulton një rrjedhë e logjikshme diku e ndërprerë, diku e lulëzuar, që konturon të katërta anët e kornizës. E kur e sheh të gjithën, me të gjitha ngjyrat, të varur në faqen qendrore të murit të sallonit të jetës, ju kthehesh të gjitha rrjedhave e degëve që e kanë bërë portretin të tillë. Copëzat, gjymtyrët, sfondi, janë aq të lidhura mirë njëra me tjetrën saqë duket sikur ashtu duhet të ndodhte, ishte e gjitha e parashkruar qysh sa për së pari hapen sytë. Tek sa rrëfen, e tillë qasje të krijohet për portretin e jetën e Teuta Hoxhës, bashkëshorten e djalit të madh, Ilirit, të Enver e Nexhmije Hoxhës. Të gjitha linjat e jetës së saj të çojnë në të njëjtin drejtim, sikur të ishte e thënë që ajo të ishte nuse e asaj shtëpie të madhe. Sepse ajo qysh fëmijë, e kishte takuar Enver Hoxhën, pra nuk ia jepte dorën për herë të parë, kur ju prezantua si shoqja e të birit. Pushimet në plazhin e Durrësit, pranë familjes së xhaxhait të saj, Ramiz Alia kishin filluar qysh në fëmijërinë e hershme. E mbase Iliri nuk ka pasur faj, që nuk duroi shumë gjatë për t'iu afruar vajzës që kishte filluar të rritej, e që e kishte parë fëmijë, atyre brigjeve. Sepse vështrimet e tyre të para janë kryqëzuar, kur Teuta ka qenë ende e vogël, aq sa, më shumë se sa djaloshi që e vëzhgonte për së largu, i interesonin kalatë e ngritura me rërën e lagësht të detit. Ndërsa djali përtej ballkonit, shquante që për së largu, sytë si të po atij deti, ku pak më parë ishte kredhur.
Sot, ngjyra e syve është po aq e spikatur, flokët e dendur të zinj krejt si atëherë. Veçse, koha e ngjarjet që vijuan, ditën e natën, nuk lanë pak pasoja. Ndër të tjera, të ndenjurit të tërhequr, të pa përfshirë në bumet e ngjarjeve të kohëpaskohshme. Teuta Hoxha ka qenë disa herë e pyetur për data të rëndësishme a ngjarje që në qendër kishin Enver Hoxhën, megjithatë ka folur shumë pak më parë për jetën e saj brenda asaj shtëpie. Hyrjen e ndrojtur në një familje të madhe, takimin e parë me Enver e Nexhmije Hoxhën e jetën pranë të birit. Nuk ka treguar për ritin e darkave familjare, batutat e humorin që bënte kreu i tryezës, tërheqjen e vëmendjes nëse ndonjëri prej pjesëtarëve qëndronte i zymtë... Të gjitha këto, që janë sidoqoftë vetëm një pjesë e vogël e historisë së gjatë, bashkë me vitet e para të demokracisë që i tronditën jetën, rrëfehen për së pari në një intervistë të plotë.
Si jeni njohur me Ilirin?
çdo vit, që nga lindja ime, pushimet verore unë bashkë me prindërit dhe motrën time i kalonim në shtëpinë e xhaxhait, në bllokun e udhëheqësve në Durrës. Megjithëse shtëpia ku jetoja unë me atë të Ilirit nuk ishin shumë pranë, kjo nuk u bë pengesë që ne të njiheshim me njeri-tjetrin. Ka qenë pikërisht në këtë kohë, kur kam qenë në vit të parë gjimnaz, në moshë fare të re, që jam njohur me Ilirin.
Njohja ka qenë e influencuar nga familjet tuaja?
Aspak. Ishte një njohje që erdhi shumë natyrshëm. Megjithëse kishim diferencë moshe, kjo nuk na pengoi që të ishim shokë. Kuptohet, në fillim ne shoqëroheshim bashkë, me shumë shokë e shoqe të tjera. Më pas lindi ajo ndjenjë e pastër midis nesh, që na lidhi për jetë.
Në një lidhje mes dy të rinjve të zakonshëm, koha që e mbajnë të fshehtë, nuk është e vogël. Ndodhi edhe me ju kështu?
Megjithëse ne u munduam shumë, që lidhjen tonë ta mbanim të fshehtë, por për rrethanat tona, djali i Enver Hoxhës njihej nga të gjithë, kjo nuk zgjati shumë. Pas një viti filluan të pëshpëriteshin fjalë. Këto vajtën edhe në vesh të familjes së Ilirit. Ne si të rinj donim ta shtynim më shumë prezantimin në familje. Mosha ime e re, më bënte ta kisha këtë droje. Do ta kishim shtyrë edhe më tepër, nëse babai i Ilirit nuk do të insistonte aq shumë që ta shihte djalin e madh me një shoqe përkrah. I thoshte shpesh: "sille shoqen tënde në shtëpi!". Në atë kohë ai ka qenë vazhdimisht në presionin e tij, në këtë drejtim. Edhe më vonë, kur kam shfletuar ditarin e tij, kam lexuar shakatë me të hedhur, që bënte me të birin.
Edhe sa kohë kaluan përpara se të zyrtarizohej kjo lidhje?
Kur mbarova vitin e dytë të gjimnazit. Gjithçka u bë pa ceremoni, një drekë familjare, që prezantoi dy familjet. Mandej, martesa u bë pas përfundimit të shkollës së mesme. Nuk ishte e lejueshme kjo gjë përpara diplomës së maturës.
Përfytyroj që të gjitha vajzat, kur hyjnë në shtëpinë e re, ku do vijojnë pjesën e dytë të jetës, nuk e kalojnë me emocione të lehta. Por në rastin tuaj nuk ishte vetëm kjo. Cili ka qenë përjetimi juaj, kur takuat prindërit e bashkëshortit tuaj të ardhshëm, dhe hyrja për herë të parë në atë shtëpi të madhe që të tjerët nuk e imagjinonin as të fotografuar?
është e vërtetë. Nëse të tjerët kishin vetëm emocionin për të cilin flisni, unë kisha dy. I pari ishte që do takoja kreun e shtetit, Enver Hoxhën, dhe i dyti që ata ishin prindërit e bashkëshortit tim të ardhshëm. Shtëpia nuk ishte e panjohur për mua. Unë kisha vajtur më parë, si e ftuar, bashkë me shoqe e shokë të tjerë, me rastin e festës së Vitit të Ri, që kishin organizuar fëmijët e familjes. Më pas edhe e ftuar nga Pranvera, me të cilën kisha shoqëri para se të njihja Ilirin. Atmosfera në të cilën u gjenda ma shkarkoi tensionin. Enver Hoxha përpiqej që ta bënte situatën dhe bisedat fare të zakonshme, aq sa ti të mund të çliroheshe vetvetiu dhe të zhvisheshe nga emocionet. Kohë më vonë, kam dëgjuar shpesh edhe nga njerëz të tjerë, që e thoshin këtë gjë: "kur takon shokun Enver t'i largon të gjitha emocionet". Dhe unë i kam kuptuar dhe besuar gjithmonë, duke kujtuar eksperiencën time të parë. Atë mbasdite ishin të gjithë aty, Enveri, Nexhmija, Pranvera, Sokoli. Koha kaloi shumë shpejt nga atmosfera e ngrohtë dhe plot humor, ku ngacmohej sidomos Iliri, si dhëndër i ri. Ndërsa Nexhmija plot preokupim, si zonjë shtëpie, që çdo gjë të shkonte sa më mirë.
Ju vinit nga një familje e thjeshtë me babain nëpunës. Si i patë, si e përjetuat ndryshimin e menjëhershëm?
Siç thashë, duke jetuar jo pak kohë në shtëpinë e xhaxhait, për mua blloku nuk ishte krejt i panjohur. Në raport me familjen time, pa dyshim që ishte tjetër gjë. Kultura, mënyra e të folurit rreth gjërave, niveli i bisedës, këto ishin të parat që më kanë bërë përshtypje. Bisedat politike ishin të pakta, kur mblidheshim të gjithë pas darkës. Nuk mund t'iu shpëtoje edhe atyre, megjithatë Enver Hoxha përpiqej të fokusohej në problemet dhe interesat e gjithsecilit. Me kujtohen dhe bisedat plot humor, kur ishim rreth tryezës. Sa bukur i tregonte historitë nga jeta në Gjirokastër, qeshnim kur atij i pëlqente t'i rikujtonte, por ndonjëherë fëmijët ose Nexhmija ndërhynin, duke i thënë që i kishin mësuar përmendësh. Dhe ai dilte nga situata, duke u justifikuar që ne të ardhurit rishtaz në familje nuk i kishim dëgjuar. Edhe ky moment kthehej me të qeshur, se fëmijët kundërshtonin, ndërsa ne i dilnim në krah atij. Këto që po tregoj, janë situata shumë familjare, që dikush që i lexon, mbase nuk i bën përshtypje, por për ne ishin shumë të dashura se kishin të bënin me jetën tonë, dhe unë po i tregoj mbasi po m'i kërkoni ju. Një tjetër temë e preferuar e Enver Hoxhës ka qenë libri, kishte në shtëpi një bibliotekë shumë të madhe, me rreth 25 mijë tituj.
ç'do të thoshte të ishe pjesë e asaj shtëpie?
Natyrisht kishte privilegje, por edhe obligime. Ndërsa për komoditetet që të ofronte, natyrisht që ndjeheshe mirë. Por është një gjë, kur mësohesh me to, nuk di t'i gëzohesh, ambientohesh dhe nuk të shkon ndërmend të thuash "ah sa mirë jam", madje ka edhe momente që mërzitesh, duke menduar që jo të gjitha punët ecin mirë, ashtu siç i do ti. Pastaj në atë shtëpi, nuk e kemi menduar ndonjëherë si shtëpinë tonë. Ajo ka qenë gjithnjë për ne një rezidencë qeveritare, ku jetonte kreu i shtetit dhe që gjendeshim vetëm përkohësisht.
Pasi u martuat, të tre çiftet e reja aty jetonit?
Po, të tre çiftet jetonim aty, por brenda asaj godine secili kishte apartamentin e vet. Kishim të përbashkët disa ambiente dhe dhomën e ngrënies, në të cilën mblidheshim të gjithë gjatë darkës. Kjo ishte e padiskutueshme. Dita e diel, festat dhe darka e çdo dite duhet të kalohej patjetër nga të gjithë bashkë. Edhe pasi kishim ngrënë, do bisedonim për 1 apo 2 orë rreth ngjarjeve të ditës apo shqetësimeve tona, pra rrinim në një ambient të përbashkët, ku nuk mungonte dhe televizori. Ka qenë jetë edhe e ndarë edhe e përbashkët. Qëllonte edhe pasditeve të takoheshim te studio e Enver Hoxhës, por për një kohë të shkurtër, mbasi ai shfrytëzonte për punë ose lexime, çdo orë të ditës, deri natën vonë.
Si ka qenë raporti i tij me partnerët e fëmijëve e më pas me nipërit e mbesat?
është kujdesur përherë t'i trajtojë të gjithë njësoj, pa bërë dallime. Ka qenë njësoj i interesuar qoftë për problemet, qoftë për shëndetin e gjithsecilit
Ju ishit një familje e madhe, si ishin marrëdhëniet midis jush?
Siç thashë më lart, ne jetonim të gjithë bashkë, në një shtëpi të madhe, por në të njëjtën kohë, çdonjwri prej çifteve, jetën e bënte më vete, brenda apartamentit të tij. Kjo krijonte pavarësinë, që gjithkush ta jetonte jetën ashtu siç e mendonte. Kjo shmangte dhe keqkuptimet që mund të krijohen në një shtëpi me shumë kurora. Për sa i përket marrëdhënieve njerëzore, edhe ne nuk bënim përjashtim nga njerëzit e tjerë. Edhe jeta jonë kishte ato uljet dhe ngritjet emocionale, që janë të pashmangshme për çdo njeri.
U martuat fill pas shkollës së mesme, ngelët shtatzënë po në këtë kohë, por ndërkaq sapo kishit nisur edhe studimet universitare...
Kam qenë në vitin e parë të studimeve për histori kur isha shtatzënë.
Degën e zgjodhët vetë?
Po, kishte qenë në preferencat e mija po edhe prindërit e Ilirit nuk nguruan të më inkurajojnë për ta vazhduar.
U diplomuat për të punuar më pas në...
Puna e parë ishte në Arkivin e Shtetit, ku punova përgjatë 8 viteve. Atë kohë u angazhova për hulumtimin dhe përpunimin e materialit dokumentar, mbi jetën dhe veprimtarinë e Ismail Qemalit. Punë kjo që u kurorëzua me botimin e një libri, që doli me rastin e 70- vjetorit të Pavarësisë. Për mua ishte një sadisfaksion i madh, se libri u prit mjaft mirë, si në rangjet shkencore, ashtu edhe nga publiku. Po këtë libër, ma kërkuan për ribotim me rastin e 90- vjetorit të Pavarësisë. Ndër punët e mija të tjera në Arkivin e Shtetit kanë qenë dhe botimi i tre librave, ku kam qenë bashkautore me një grup shokësh. Më pas u emërova nën drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar, pra isha sërish brenda profilit, por nuk merresha më me dokumente por me relikte. Dy vjet më pas, fillova punë në Komitetin e Kulturës dhe Arteve, në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore.
Të qenit pjesë e asaj familje, e favorizonte apo e ndihmonte këtë mbarëvajtje profesionale? Lëvdatat nga njerëz të rëndësishëm të shkencës e politikës...
Padyshim që unë nuk e përjashtoj influencën e familjes, sado që ne nuk kërkonim asgjë në emër të saj, por mendoj se ajo vepronte indirekt. Duke mos shmangur dot këtë mekanizëm që lëvizte pa vullnetin tonë, unë dhe Iliri jemi munduar, duke i vënë detyrë vetes, që t'i përkushtoheshim punës me të gjitha forcat dhe mundësitë tona, që të krijonim një emër të mirë në bazë të rezultateve në punë dhe jo vetëm me atë të familjes. Dhe mendoj se ia kemi arritur.
Kishit lindur ndërkaq edhe dy fëmijë pas të parit?
Po, tre djem.
ç'marrdhënie kishte gjyshi me nipërit?
Për fëmijët ka qenë gjithnjë në dispozicion, ndodhte që ia çonim në mëngjes sapo zgjohej pranë krevatit. Ata ishin të vetmit që hynin fare pa u shqetësuar në studion e tij të punës me lirshmërinë e asnjërit prej nesh. Cilido të ishte intensiteti i punës, ai gjithnjë i përkëdhelte e i puthte. Ndërsa ne të rriturit e dinim regjimin e tij të punës, dhe natyrisht që nuk e shqetësonim.
Me ju nuk ishte kaq miqësor?
Nuk bëhej fjalë për miqësor. Ai ishte babai i shtëpisë, siç janë gjithë baballarët e kësaj bote. Por sidoqoftë ne e kuptonim rëndësinë e punës së tij dhe e linim të ishte i qetë.
Tashmë tre çifteve të reja që dyndën së pari shtëpinë, ju ishin shtuar edhe fëmijët e secilit, u vështirësua bashkëjetesa?
Fëmijët ishin të vegjël, kishin oraret e tyre, edhe në ato darkat familjare nuk ishin prezent për shkak të orarit dhe regjimit. Uleshin në tryezë vetëm të dielave në drekë bashkë me ne, pjesën tjetër të kohës ndiheshin vetëm që kishte gjallëri e fëmijë nëpër këmbë.
Kishte gjyshi preferenca ndër ta?
Fëmijët janë të gjithë njësoj, nuk mund të ndahen njëri nga tjetri. Veçse vajzat, prej natyrës, kërkojnë tjetër lloj përkëdheljesh, tjetër mënyrë të sjelluri. Ndërsa djemtë janë më të përmbajtur, vajzat janë të gatshme përherë.
Si ka qenë atmosfera në kohët e fundit përpara vdekjes?
Gjendja e lodhjes është ndier vetëm tre muajt e fundit përpara vdekjes. Ka qenë gjithë kohës në këmbë me gjithë që sëmundja ndërkaq kishte evoluar, po pa e bërë që të humbasë ekuilibrin. Deri në atakun e datës 9 prill. Më 11 prill ai u nda nga jeta.
Ishin përmbysur gjatë kësaj kohe zakonet e së përditshmes...
Mundet vetëm që 2 a 3 herë të jetë larguar menjëherë pas ngrënies, pa bërë bisedat e zakonshme për shkak të lodhjes. Ama përpiqej gjithnjë që të mos i përcillte shqetësimet fizike. Ne asnjëherë nuk i kemi ndier as problemet e punës së tij e as ato të shëndetit.
Ndiqte ai regjim ushqimor, për pasojë edhe të gjithë ju?
Dietë ndiqte domosdo, sepse vuante edhe nga diabeti. Ushqimi duhet të ishte i kontrolluar në yndyrna dhe në sasi, sipas recetave të mjekut në bazë kalorish. Lloji i ushqimit ishte si për të gjithë. Për shembull për Enverin, si nga Gjirokastra, ishte shumë i preferuar djathi i bardhë, përdorimin në masë të të cilit nuk ia lejonte doktori. E kishte me sasi të kufizuar dhe të lënë në ujë për t'i dalë kripa. Kur kishim ndonjë festë familjare kërkonte pak djathë në vend të ëmbëlsirës.
Viti '92...
Gjëja e parë që bëmë ishte largimi i të gjithë pjesëtarëve nga shtëpia, shkuam për 10 ditë në kohën e rrëmujrave në malin e Dajtit, në një vilë pushimi që përdorej në atë kohë për udhëheqjen. Më pas u sistemuam në një apartament unë me Ilirin dhe fëmijët bashkë me Nexhmijen dhe me një motër të Enverit që jetonte me ne. Dy çiftet e tjera u sistemuan në shtëpi jo shumë larg nesh. Kur ishim në këtë apartament, ndodhi arrestimi i Nexhmijes dhe zhvarrimi i Enver Hoxhës. Përjetimet emocionale të asaj kohe ishin të tejmbushura. Burgosja e Nexhmijes na shqetësonte dyfish, edhe për shkak të moshës së saj të madhe, ndërsa zhvarrimi ishte më i rëndë edhe se një vdekje, që në fund të fundit është natyrale. Këto përjetime nuk mund të zhduken asnjëherë, edhe në mos, do lënë domosdo gjurmë. Pas disa muajsh na hoqën edhe nga shtëpia, ku shkuam dhe na çuan në Laprakë, ku jetojmë ende edhe sot, sëbashku me Nexhmijen. Ishte një pallat i rrënuar, i cili më parë kishte qenë Instituti i Tokave, të cilit ju bënë disa ndryshime për t'u bërë i banueshëm. Shkuam atje ne dhe disa anëtarë të tjerë të Byrosë Politike. Me kalimin e kohës, ne e përshtatëm për një jetesë normale.
Vinit nga 'Pallati i ëndrrave' në një banesë të sajuar me kushte minimale, si ia dilnit?
Së pari ia di për faleminderit sime mëje që më ka rritur me frymën e punës, por dhe të ndihmës konkrete, që më dha në atë kohë të vështirë. Nuk m'u nda për asnjë çast. Duke mos harruar dhe babain tim të mirë, që në moshë të shkuar hapi shtëpinë e tij për ne, sa të sistemoheshim në shtëpinë që folëm më lart. Përveç kësaj, më kanë ndenjur pranë edhe disa nga gratë e shërbimit të asaj kohe. Natyrisht që jo për të punuar, po për të më lehtësuar sadopak jetesën. Lodhja fizike ishte e madhe, kisha katër burra për t'u shërbyer, por siç thotë populli, çdo e keqe ka edhe një të mirë. Unë të mirën e gjeta tek lidhja me fëmijët që më krijoi kjo mënyrë e re jetese. Dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e madhe dhe e rëndësishme, duke e krahasuar me atë të "Pallatit të ëndrrave" që thoni ju.
Dinit të gatuanit, t'i vinit përqark shtëpisë?
Përderisa nuk isha marrë, kuptohet nuk isha shtëpiake e zonja, megjithatë kur duhet gjërat bëhen.
Do bëhej edhe më e vështirë me burgosjen e Ilirit...
Ajo ishte pika kulmore e vuajtjeve të mia.
Si mbijetonit?
Me ndihmën e miqve të huaj dhe atyre kosovarë.
Pas daljes nga burgu, në '96-ën, jeta iu rikthye normalitetit, ose së paku drejt asaj rruge...
Iliri, megjithëse është "Profesor-doktor i shkencave" dhe kishte punuar në institucione shumë të rëndësishme, nuk iu dha asnjë mundësi të punësohej. Ai nisi të merrej me punë private, ndërsa unë ju riktheva librave dhe një biznesi të vogël, që hapa në vitin 2000. Në atë vit të burgut, Iliri kishte shkruar kujtime nga jeta e tij me babain, për të cilat punova me redaktimin që t'i botonim. Bashkë me Ilirin bëmë një përmbledhje të kolanit të kujtimeve që kishte shkruar Enver Hoxha, duke ju referuar vëllimeve të botuara më parë. Këtë libër e përkthyem edhe në italisht, pasi na e kërkoi një shtëpi botuese italiane. Një vëllim me vlerë doli dhe "Kosova është Shqipëri", ku përmblodhëm gjithë materialet që kishte shkruar Enver Hoxha për Kosovën. Nisa më pas të merrem me një zhanër të pa lëvruar më parë, atë të përkthimit. Përktheva Kazanxaqisin, Preverin. Tani jam në proces për të nxjerrë një botim të plotë të poezisë së Nazim Hiqmetit. Po sistemoj arkivën e fotove familjare, ndërkaq dhe merrem me drejtimin e një shoqate grash për rajonin e Mesdheut.
Për të mos e mbyllur me kujtime të trishta, ta lëmë me shijen e mirë të një avantazhi, të cilin ata që e kishin numëroheshin me gishta...emri i një parfumi, i një veshje, që për të tjerë është dëgjuar vetëm 10 vite më parë...
Në udhëtimet tona jashtë shtetit, dietat ishin si të të tjerëve, vetëm se avantazhi ishte që i kishim të gjitha në funksion të vetes, pa menduar t'i shpenzojmë në dobi të shtëpisë. Veshjet ishin sipas mundësive. I jepja rëndësi cilësisë, por mundohesha gjithnjë të ishin sa më të thjeshta së jashtmi. Parfumi i preferuari im i gjithkohshëm ka qenë "Christian Dior", po dhe që e kisha përpiqesha ta përdorja me shumë kujdes. Nuk kam dashur të tërheq asnjëherë vëmendjen me këto gjëra. E di që nuk ia kam arritur plotësisht, por unë mundohesha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›