E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama takon shefin e Antimafias italiane: Do njohim dënimet tuaja

ITALI - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi dje një takim pune me Kryeprokurorin e Antimafias italiane, Piero Grasso. 

Takimi mes dy kryeprokurorëve është zhvilluar gjatë një vizite që Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, po zhvillon në Romë me ftesë të palës italiane. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti tha dje se, “gjatë takimit mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeprokurorit të Antimafias italiane, Piero Grasso, diskutimi është përqendruar për gjetjen e metodave, për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, Prokurorisë Antimafia dhe Prokurorisë shqiptare”. Dy kryeprokurorët kanë rënë dakord gjatë diskutimit të tyre për shpejtimin dhe thjeshtëzimin e shkëmbimit të informacionit mes palëve, në kuadër të hetimeve që zhvillohen nga prokuroritë respektive kundër grupeve të krimit të organizuar. “Dy palët u angazhuan reciprokisht për të përshpejtuar ekzekutimin e letër-porosive, për llogari të procedimeve penale në dy vendet. Ina Rama dhe homologu i saj i Antimafias, diskutuan edhe rreth përpjekjeve për të bërë të mundur njohjen dhe ekzekutim e vendimeve penale të gjykatave italiane për shtetasit shqiptarë të dënuar në vendin fqinj.         t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›