E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, Nishanit: Pezulloje Krenarin

Prokuroria e Tiranës i kërkon zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme, zbatimin e vendimit të gjykatës për pezullimin nga detyra të shefit të Policisë së Qarkullimit Rrugor në kryeqytet, Krenar Ahmeti. 

Trazhgim Sokolaj

Një shkresë e firmosur nga kryeprokurori i rrethit, Genti Xholi, është dërguar të martën në adresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Në dosje është bashkëngjitur vendimi i Gjykatës së Tiranës, i datës 9 qershor 2008 bashkë me kërkesën që Prokuroria i ka bërë kryepolicit Ahmet Prençi dhe ministrit Nishani, për pezullimin nga detyra të kreut të Komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës. Në shkresën e firmosur nga kryeprokurori i Tiranës, gjithashtu kërkohet që organi i akuzës të lajmërohet menjëherë për ekzekutimin e vendimit, për shkak se pezullimi nga detyra përbën një masë ndaluese të parashikuar nga ligji e, për rrjedhojë, duhet të zbatohet menjëherë pas verdiktit të togave të zeza.
Akuza kryepolicit
Kreu i Policisë Rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti, po përballet me akuzën për “veprime arbitrare” ndaj qytetarëve pas një denoncimi të bërë ndaj tij nga një prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ngjarja, të cilës i referohet akuza, ka ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pasi një efektiv i Policisë Rrugore ndaloi për verifikim automjetin ku ndodhej prokurorja me disa të afërm të saj. Këta të fundit kanë pretenduar se dokumentet e mjetit ishin të rregullta dhe polici rrugor po i vononte pa shkak, ndaj kanë filluar debatin. Në këtë situatë ka mbërritur në vendin e ngjarjes shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti, i cili është përfshirë në konflikt me prokuroren dhe bashkëshortin e saj avokat, duke urdhëruar shoqërimin e këtij të fundit në Komisariatin e Policisë nr.2. Pas kësaj ngjarje pala e dëmtuar denoncoi, ndërsa Prokuroria mori të pandehur Krenar Ahmetin, duke kërkuar ndaj tij masën ndaluese “pezullim nga detyra”, e cila u pranua nga Gjykata e Tiranës katër ditë më parë. Ky vendim i Gjykatës së Faktit është ankimuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë nga kreu i policisë rrugore, Krenar Ahmeti.

Bujar Nishani letër gjykatës:Mos pezulloni Krenar Ahmetin

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i ka dërguar një letër gjykatëses që gjykoi masën e sigurisë për kryepolicin e Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti. Në këtë letër, Nishani i kërkon gjykatës që të mos vendosë masë pezullimi për këtë oficer policie, pasi për të dy rastet që rëndojnë mbi Ahmetin, për keqtrajtimin e prokurores Elizabeta Imeri dhe Hasan Nezaj, sipas Nishanit nuk janë motivi ligjor për të cilin kërkohet pezullimi i Ahmetit. “Duke mos ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit, por nisur nga praktikat dokumentare dhe informacionet që ne administrojmë, jemi të bindur se nuk ekziston asnjë dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, për të caktuar masën e sigurimit personal të kërkuar nga Prokuroria”, pohon ministri Nishani, i cili përfundon duke thënë: “Përfundimisht, duke ju uruar punë të mbarë dhe duke respektuar pavarësinë e institucionit Tuaj, desha të bëj prezent mendimin e Ministrisë së Brendshme, në cilësinë edhe të punëdhënësit për shefin e Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë, Kryeinspektor Krenar Ahmetin”. Pas mbërritjes në gjykatë, letra i është dorëzuar gjyqtares së çështjes, Majlinda Doga, ditën që do zhvillohej seanca e masës ndaluese ndaj Ahmetit. Burime nga procesi pohojnë se kjo letër tashmë është bërë pjesë e fashikullit hetimor të çështjes, megjithëse rezulton e paprotokolluar në institucion.                                fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›