E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga kërcënuesit të ambasadorit gjerman

TIRANE - Arrestohet për herë të dytë autori i kërcënimeve ndaj ambasadorit gjerman në Tiranë. Izmir Kulla, 36 vjeç, është arrestuar nga oficerët e antiterrorit mesnatën e së martës rreth orës 23:30. 

Ai është ndaluar në shtëpinë e tij në bllokun e banesave private nr.2 në lagjen “Kastrioti” në Fushë-Krujë, me akuzën e fyerjes dhe kanosjes së përfaqësuesve të vendeve të huaja në Shqipëri. Kërcënimi dyshohet se është kryer nga Kulla, pasi përfaqësia gjermane për të disatën herë ka refuzuar për të pajisur me vizë Kullën, pavarësisht se pretendimi i tij ishte se duhej të shkonte për të takuar bashkëshorten me shtetësi gjermane dhe djalin që jetojnë në Gjermani. Arrestimi i Kullës është bërë i ditur dje zyrtarisht nga policia e Tiranës, e cila pohoi se i dyshuari kishte telefonuar në numrin e centralit të ambasadës, ku edhe kishte sharë dhe fyer punonjësen e centralit si dhe vetë kryediplomatin gjerman. Pas kësaj bisede, autoritetet e selisë diplomatike të këtij vendi kanë njoftuar policinë. Numri që kishte telefonuar është identifikuar nga ekrani i centralit, por edhe vetë i arrestuari është identifikuar. Pas marrjes së deklarimeve përkatëse, policia ka arrestuar Kullën, i cili për të njëjtin veprim është arrestuar edhe më parë nga policia, por më pas është lënë i lirë për shkak të gjendjes së tij të paekuilibruar psikike. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›