Inaugurohet renovimi i pavijonit B
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se të burgosurit e mitur do të ndihen të barabartë dhe do të shkollohen në shkollat e Lipjanit, në mënyrë që të krijohen kushte për aftësimin e tyre dhe që ata të kthehen në shoqëri si qytetarë të barabartë.
Ai këto komente i bëri të mërkurën gjatë vizitës në Qendrën Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan, me rastin e inaugurimit të pavijonit të rinovuar B dhe lëshimin në përdorim të kabinetit të informatikës.
Kuçi u zotua se ministria që ai drejton do të punojë në krijimin e kushteve në burgje të përafërta me ato në vendet moderne.
“Do të provoj që të bëj një burg të tipit të hapur që ata të ndihen të barabartë, përafërsisht me kolegët e tyre dhe do të kenë qasje në shkollim në shkollat e Lipjanit, në mënyrë që gjatë kohës sa qëndrojnë këtu të krijohen kushte për aftësimin e tyre dhe që ata të kthehen në shoqëri si qytetarë të barabartë. Unë natyrisht do të marrë masa edhe për ndërtimin e një objekti të ri, i cili shumë shpejt do të jetë funksional”, ka thënë Kuçi.
Komisari i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha, ka thënë se institucionet tona janë në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar kushte akomodimi dhe trajtimi për të mitur në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Lidhur me këtë u pa inaugurimi i objektit, i cili është rinovuar në total dhe në këtë mënyrë janë rinovuar edhe dy objektet përkrah tij. Në këtë mënyrë ne kemi përfunduar renovimin e të gjitha objekteve dhe kemi ofruar kushtet dhe standardet e kërkuara në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ministri Kuçi vizitoi edhe të burgosurit të mitur që janë në këtë qendër korrektuese. Numri i të miturve dhe femrave në këtë qendër sillet nga 90 deri në 120, megjithatë ka tri vjet që në këtë institucion korrektues nuk ka pasur femra të mitura për kryerje të veprave penale.
Renovimi i pavianit B është rregulluar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pjesa tjetër e kabinetit të informatikës është donacion nga UNICEF-i. /kosovapress/