Meta: Greva e urisë u zëvendësua me dialogun
Ilir Meta reagoi dje në lidhje me negociatat e Strasburgut dhe tryezën midis Sali Berishës dhe Edi Ramës. Në një intervistë për “Top Channel”, ai dha vlerësimet e para për rikthimin e dialogut
Zoti Meta, a jeni në dijeni ju për pikat e një marrëveshjeje të mundshme që pritet të arrihet, nëse do të arrihet?
Për mua ajo që është më e rëndësishme dhe që vlen për t’u përshëndetur është mbyllja e grevës së urisë dhe zëvendësimi i saj me dialogun, që është edhe një kërkesë në drejtim të integrimit europian, sidomos për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Zoti Meta, PD kërkon zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, pra hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe djegien e kutive me fletë votimi, ndërsa PS kërkon opinion për kutitë me fletët e votimit nga Komisioni i Venecias, paralelisht me hapjen e materialeve zgjedhore. A e mbroni ju këtë variant?
Unë do të dëshiroja që të dilja jashtë çdo lloj përpjekjeje spekuluese, apo qoftë edhe instrumentalizuese, lidhur me përpjekjet e mia të vazhdueshme, apo edhe të forcës politike që unë përfaqësoj për sa i takon domosdoshmërisë së rivendosjes së dialogut politik. Dua të nënvizoj se ajo që është më e rëndësishmja, është se transparenca dhe kushtetueshmëria e këtij procesi duhet t’i shërbejnë reformës së ardhshme zgjedhore.
Në dijeninë tuaj, si ministër i Jashtëm, a ka një draft në Strasburg për të cilin duhet të japin “OK”-in Berisha dhe Rama?
Nuk mund të konfirmoj asnjë element të tillë. Për mua është e rëndësishme që greva është zëvendësuar me dialogun. Ky është i vetmi mjet për të cilin unë kam insistuar vazhdimisht dhe që besoj se është detyra e të gjithëve për ta ushqyer në mënyrën më konstruktive.
Zoti Meta, çfarë ju bën të besoni se këtë herë dialogu do të funksionojë, pasi edhe para tre muajsh, kur ishte Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, Berisha dhe Rama nisën dialogun, por ai dështoi?
Sepse unë mendoj që testimi i rrugëve të tjera tregoi qartë se nuk mund të ketë zgjidhje përveçse kësaj rruge, që është vetëm dialogu.
#